Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar pas zjarrit në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Lideri i PDK-së ka thënë se mungesa e mbrojtjes së Institutit të Mjekësisë Ligjore, edhe pas dështimeve të kaluara, nuk mund të quhet më as papërgjegjësi dhe as rastësi.
Sipas tij, tashmë dyshimet janë edhe më të mëdha se, “për qëllime të caktuara të pushtetit aktual, ky Institut është rikthyer në cak dhe në instrument politik”.
“Për të dytën herë brenda një viti, Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë po dëmtohet nga zjarre të dyshimta. Pas zhdukjes së mostrave të rastit të Astrit Deharit në dhjetor të vitit të kaluar dhe zjarrit te marsit të këtij viti, sot flaka kaploi disa nga zyrat kryesore të këtij Instituti. Nga të gjitha organet kompetente, kërkoj që urgjentisht të hedhin dritë mbi këtë çështje. Ndërkaq, Ministria e Drejtësisë, e cila menaxhon me këtë Institut, duhet të dalë urgjentisht me informata konkrete rreth këtij rasti!”, ka shkruar Krasniqi.
Më tej, i pari i Partisë Demokratike të Kosovës ka bërë disa pyetje, ku sipas tij, edhe pas zhdukjes së mostrave të rastit Dehari, siguria në këtë Institut ka mbetur e ulët.
“Çfarë e shkaktoi zjarrin? Çfarë u dogj dhe cilat janë dëmet? A janë dëmtuar prova dhe mostra të tjera, të cilat do të dëmtojnë hetimin e ndonjë rasti? Si është e mundur që edhe pas zhdukjes së mostrave të rastit Dehari, mbikëqyrja dhe niveli i sigurisë në këtë Institut të mbeten kaq të ulëta?”, ka shtuar ai.
Ndërkohë, ai e ka akuzuar pushtetin se e ka shndërruar IML-në në instrument politik.
“Mungesa e mbrojtjes së Institutit të Mjekësisë Ligjore, edhe pas dështimeve të kaluara, nuk mund të quhet më as papërgjegjësi dhe as rastësi. Tashmë, dyshimet janë edhe më të mëdha se, për qëllime të caktuara të pushtetit aktual, ky Institut është rikthyer në cak dhe në instrument politik”, ka thënë Krasniqi, duke kërkuar që “Dikush duhet të japë përgjegjësi!”.