Një zjarr shpërtheu mëngjesin e së martës në objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Lidhur me rastin, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka bërë të ditur se ka nisur hetimet dhe se prokurori i shtetit ka lëshuar autorizime për ekzaminime nga vendi i ngjarjes.
“Ju njoftojmë se me të pranuar informatën nga Policia e Kosovës lidhur me incidentin e zjarrit në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë me të gjitha njësitet relevante për t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”, ka deklaruar Prokuroria në një përgjigje për portalin Dukagjini.
“Prokurori i Shtetit ka lëshuar disa autorizime për kryerjen e ekzaminimeve nga vendi i ngjarjes dhe nga të gjeturat e tyre eventualisht në rast të paraqitjes së elementeve të veprës penale, do t’i ndërmarrë veprimet e mëtejme konform dispozitave të KPPRK-së”, thuhet tutje në përgjigjen e Prokurorisë.
Nëse ekzaminimet konfirmojnë elemente të veprës penale, Prokuroria ka theksuar se do të ndërmerren veprime të mëtejshme në përputhje me dispozitat ligjore.
Prokuroria më tej ka theksuar se në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, IML-në dhe institucionet e tjera relevante janë duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore deri në sqarimin e plotë të rastit në fjalë.
Objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore e ka kapluar zjarri mëngjesin e së martës.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë se dy zyra janë përfshirë nga zjarri dhe se nuk raportohet për të lënduar.
Ministria e Drejtësisë ka reaguar në lidhje me zjarrin në objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML).
Në reagimin e tyre thuhet se zjarri është lokalizuar dhe se ende nuk dihen shkaqet.
Ndërkaq, është hera e dytë që objekti i IML-së është përfshirë nga flakët këtë vit.