Një vjedhje si në skenë filmash, dështoi të hënën në Gjilan.
Në vendngjarje, kanë mbetur vetëm këto shenja.
Nga kjo hapësirë, u largua edhe bankomati i njërës prej bankave komerciale në Kosovë, i cili ishte cak i grabitësve të armatosur.
Mëngjesin e së hënës, të dyshuarit vendosën në bankomat në eksploziv, të cilin e aktivizuan nga rreth 100 metra largësi.
Aktivizimi u bë përmes telekomandës.
Pas shpërthimit, sipas asaj që tregojnë në Policinë e Gjilanit, dy të dyshuar tentuan që ta hapin bankomatin, veprim të cilin nuk arritën ta realizojnë.
Pas këtij dështimi, ata u larguan në një drejtim të panjohur, kurse për shkak të maskave që kishin vendosur në kokë, Policisë i është vështirësuar identifikimi i tyre.
“Nga hetimet e para, të dyshuarit kanë arritur që të largohen në drejtim të panjohur për momentin, por fatmirësisht nuk kanë arritur që të marrin asgjë. Do të thotë nuk kanë arritur që të realizojnë vjedhjen. Rasti nga prokurori i shtetit është konsideruar si vjedhje e rëndë dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, ndërsa hetimet në lidhje me rastin janë duke vazhduar prej njësisë së hetimeve të stacionit policor në Gjilan”, ka thënë Veton Osmani nga Policia në Gjilan.
Në vendngjarje, grabitësit lanë pak gjurmë.
“Njësitet policore i kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme në hetim të rastit, i kanë mbledhë provat të cilat kanë qenë të mundura dhe kanë qenë prova që mund të ndihmojnë në kapjen e të dyshuarve dhe po vazhdojmë hetimet në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit”, ka thënë Osmani.
Televizioni Dukagjini ka kontaktuar edhe bankën e cila ishte cak i sulmit, mirëpo ata nuk kanë dashur të flasin para kamerës.
Megjithatë, kanë konfirmuar se në bankomatin që u sulmua, nuk mungoi asnjë cent.
Një ngjarje e ngjashme ndodhi edhe para rreth dy javësh në Ferizaj.
Edhe në këtë qytet u tentua që me mjete shpërthyese të grabitet një bankomat.
Sulmuesit në këtë rast, sulmuan Policinë me armë zjarri.