“Ju të gjithë krenoheni për menaxhim të pandemisë, ne ishim arsyeja”, “Në vend të motivimit është zhgënjimi”, “Heronjtë e pandemisë të harruar nga Qeveria e Kosovës”, “Rrezikova veten dhe familjen time për të të shpëtuar familjen tënde dhe si u shpërbleva?”,“Në vend të vlerësimit është injorimi”.
Këto ishin disa nga pankartat që mbanin në duar stafi mbështetës i infermierëve të cilët ishin të angazhuar në kohën e pandemisë COVID-19.
Gjatë kësaj proteste të mbajtur para objektit të ministrisë së Shëndetësisë, duke brohoritur “duam pagat tona”, ata kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për mosekzekutimin e pagesave.
“Duam të drejtat tona, duam përgjigje”, ishte një nga thirrjet e tyre.
“Qëllimi i organizimit të protestës është për mosekzekutimin e pagave. Nuk largohemi nga këtu pa marrë një përgjigje zyrtare, janë bërë gati tre muaj pa paga, kemi bërë shkresa e emaile por s’kemi marrë përgjigje. Ne punën e vazhdojmë njëjtë, jemi të angazhuar maksimalisht, nuk kemi dallim nga ata që janë të rregullt, një mijë e 304 jemi momentalisht”, është shprehur përfaqësuesja e infermierëve, Nurie Uka, e sistemuar në klinikën e Ortopedisë.
I pranishëm ishte edhe infermieri Enlirat Duraku, përfaqësues i Sindikatës së Infermierëve, i cili ka theksuar se ndonëse kjo protestë nuk është organizuar nga sindikata e infermierëve, të njëjtën e ka mbështetur në mënyrë të pakontestueshme.
“Kërkesat e tyre ne i konsiderojmë të arsyeshme, janë legjitime dhe si të tilla i mbështesim në mënyrë ta pakontestueshme. Sistemi shëndetësor ka nevojë për ta, kemi kërkuar që këta profesionistë të mos largohen nga puna”, është shprehur Duraku.
Qëndresa Berisha, një tjetër protestuese, e cila punon në Qendrën e Vaksnimit, i ka renditur disa nga arsyet e protestës, duke paralajmëruar ikjen nga Kosova në drejtim të shtetit gjerman.
“Jemi që dy vjet me kontrata mbi vepër, shkaku i pagesave jemi këtu, shkaku i dytë është vazhdimi i kontratave tona, dhe pagesa tremujore që është vonuar. Kjo vonesë prej tre muajsh na ka shkaktuar që, unë personalisht si infermiere ta shkëpus kontratën dhe do të zhvendosem në Gjermani”, ka thënë ajo.
“Jemi maltretuar shumë për dy vjet dhe pa pushim, dy vjet të punojmë në momentet më të vështira ka qenë e vështirë, kemi humbur edhe familjarë ndër ta jam edhe unë”, shtoi ajo.
Në kohën kur Kosova përballej me një fluks të lartë të infektimeve dhe vdekjeve si pasojë e virusit Covid-19, Ministria e Shëndetësisë (MSH) kishte marrë vendim që t’i rekrutojë si staf mbështetës rreth 840 infermierë, me qëllim që “lufta” ndaj këtij virusi të ishte më e lehtë.
Thirrjes për aplikim iu përgjigjën menjëherë mijëra infermierë nga i gjithë vendi, të cilët siç edhe thuhej nga vetë zyrtarët e MSH-së, filluan të punonin në “vijën e parë të frontit”, në qendra të vaksinimit, në të gjitha qytetet e Kosovës.
Tash kur rastet e vdekjes dhe infektimeve kanë rënë, kjo kategori nuk po vlerësohet si duhet. Stafi mbështetës i infermierëve, që kanë ende kontrata të vlefshme, të cilat u skadojnë më 15 e qershor të këtij viti, tashmë ka gati tre muaj që nuk po marrin pagë, edhe pse një gjë e tillë u takon nga kontratat e tyre valide.
Pos kësaj, edhe pse konsiderohen punëtorë të një institucioni publik, ata nuk e kanë marrë as shtesën e 100 eurove që është paraparë të ndahet nga Qeveria e Kosovës, për të gjithë punëtorët e sektorit privat dhe publik.
Gati tre muaj pa pagë, infermierët e angazhuar në kohën e pandemisë protestojnë të mërkurën