Prokuroria Themelore në Prizren ka dhënë detaje lidhur me shpërthimin e sotëm në tregun e kafshëve në Prizren.
Prokuroria ka njoftuar se nga tre të dyshuarit, njëri është arrestuar dhe gjendet nën masën e ndalimit, ndërsa dy të dyshuarit e tjerë janë në kërkim.
“Lidhur me rastin, tre persona të dyshuar janë identifikuar, njëri prej tyre është arrestuar dhe gjendet nën masën e ndalimit, ndërsa dy të dyshuarit tjerë janë në kërkim. Prokuroria dhe policia janë duke punuar intensivisht për kapjen e tyre”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, rasti ka ndodhur rreth orës 04:50 të mëngjesit.
“Nga ky shpërthim dhjetë persona kanë pësuar lëndime trupore, pesë prej tyre janë dërguar nê QKUK në Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor, ndërsa pesë persona tjerë janë liruar në shtëpi pas trajtimit në Spitalin Rajonal të Prizrenit”, thuhet në njoftim.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori kujdestar dhe njësitë relevante policore për të hetuar rastin.