Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka bërë të ditur se me përfundimin e ciklit kualifikues për Kampionatin Evropian 2024, ka përfunduar edhe marrëveshja me trajnerin e deritanishëm të “Dardanëve”, Primozh Gliha.
Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi, ku FFK-ja e ka falënderuar për punën e tij në krye të dardanëve.
“FFK-ja e falënderon përzgjedhësin Gliha për punën e tij në krye të ekipit kombëtar në gjashtë ndeshjet kualifikuese të zhvilluara pas shkarkimit të ish-përzgjedhësit, Alain Giresse. Federata e Futbollit e Kosovës tashmë ka filluar analizimin e thellë të situatës aktuale në ekipin kombëtar A dhe pas kësaj analize do të merren masat adekuate dhe veprimet e ardhshme, përfshirë edhe angazhimin e përzgjedhësit të ri që do t’i prijë ekipit kombëtar”, thuhet në njoftim.
Kosova e përfundoi me humbje ciklin shumë të vështirë kualifikues, ku u mposht nga Bjellorusia me rezultat 1 me 0.
Kosova përfundoi kualifikimet për Euro 2024 në pozitën e parafundit në Grupin I, me 11 pikë. Prapa ka lënë vetëm Andorrën, me dy pikë.