Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në lidhje me raportimin e Dukagjinit se mustaqet e Adem Jasharit dhe gishti i Isa Boletinit u dogjën nga zjarri në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), ka thënë se ato nuk janë pronë e IML-së dhe se nuk ka të drejtë instituti të mbajë ato.
Haxhiu ka thënë se nuk ka pasur informacione se këto po mbaheshin në IML, teksa ka shtuar se familjet ua kishin dhënë ato një eksperti i cili më pas i ka mbajtur në zyrën e vet prej vitit 2000.
“Familjet ia kanë dhënë ekspertit të mjekësisë ligjore, ai i ka mbajtë në zyrë. Ato duhet të mbajë shteti, jo në zyre të një eksperti. IML nuk ka të drejtë të mbajë ato”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka kritikuar shefin e GP të PDK-së, Abelard Tahiri, duke i thënë se vetë ka qenë ministër i Drejtësisë dhe ka lënë kaos në këtë sistem.
“Keq ma ke lanë IML-në, keq ma ke lanë SHKK-në, tash mundesh me heshtë. Si s’po të vjen turp kur vetë ke qenë ministër i Drejtësisë”, ka vijuar ajo.
Ajo ka mbështetur iniciativën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për ngjarjet në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Ajo ka thënë se ky është mjeti i vetëm për të hetuar ndër vite të gjitha veprimet që kanë ndodhur në këtë institut, dhe se ky komision do të ndihmonte Kosovën, IML-në dhe institucionet e drejtësisë.
“E kam përmendur këtë çështje, ndonëse ka pasur përpjekje maksimale në kthimin e besimit të qytetarëve në IML, duket që krimi është shumë i madh. Kërkoj mbështetjen e juaj ta themelojmë komisionin hetimor. Kështu mund të ndihmoni Kosovës, IML-së dhe institucioneve të drejtësisë në mënyrë që veprimet që kanë ndodhur deri më tani të adresohen”, ka thënë ministrja Haxhiu.
Ministrja Haxhiu ka thënë se ka raste të shumta në IML kur është përballur me “skandale kur vrasjet janë bërë vetëvrasje e vetëvrasjet vrasje” dhe se duket e pabesueshme, siç thotë ajo, që zjarri ka ndodhur për shkak të një defekti në sistemin elektrik.
“Jo rrallëherë ka pasë situata kur IML është përballur me skandale të shumta, kur vrasjet janë bërë vetëvrasje, janë zhdukur provat. Zjarri ka ndodhur sepse ka pasur një defekt në sistemin elektrik, doket pak e besueshme, ndonëse për këtë kanë folur ekspertët e çështjes”, ka vijuar ajo.
Ndryshe, dje Dukagjini ka raportuar se ngjitur me zyrën e mjekoligjorit Valon Hyseni, të ruajtura kanë qenë edhe mustaqet e heroit kombëtar, Adem Jashari e pjesë të trupit të Isa Boletinit, edhe ato i shkrumboi ai zjarr.
Një ditë pasi zyra e tij u kaplua nga flaka, Valon Hyseni nga Instituti i Mjekësisë Ligjore po mundohet të gjejë ndonjë material që ka mundur t’i shpëtojë nga ajo hapësirë.
E Prokuroria Themelore ende nuk ka dalë me një rezultat përfundimtar se çka e shkaktoi zjarrin.
“Ju njoftojmë se aktualisht ndaj këtij rasti po vazhdon ndërmarrja e veprimeve hetimore në koordinim me institucionet relevante, andaj në këtë fazë nuk mund të japim detaje të tjera”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.
Ndonëse jo Prokuroria, detaje të tjera dha ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila thotë se dyshimet e para janë te sistemi elektrik.
“Sipas informacioneve të para nga ata dhe ato i kemi siguruar dje në orët e vona të mbrëmjes, ka pasur një defekt në sistemin elektrik, mirëpo ka diskutime përbrenda vetë ekspertëve dhe stafit të mjekësisë ligjore që mund të jetë shkaku prej kohës që është ndërtuar ai objekt”, ka thënë ministrja Haxhiu.
Haxhiu e quan fat në fatkeqësi faktin që ai zjarr nuk ka prekur e nuk ka dëmtuar mbetjet mortore, mostrat, e as arkivin e këtij institucioni.
Për shkak të rëndësisë dhe materialeve sensitive që bart ky institucion, ish-sekretari i Ministrisë së Drejtësisë sugjeron që të kihet më shumë kujdes rreth këtyre problemeve.
“Duhet kihet parasysh që IML është institucion shumë me rëndësi ku në kuadër të këtij institucioni, pos ekzaminimeve dhe ekspertizave që realizohen, ato edhe ruhen për një periudhë të caktuar, andaj duhet të kihet kujdes dhe qasje në bazë të materialeve dhe gjësendeve që ndodhen aty”, ka thënë Ardian Bajraktari.
Kjo nuk është hera e parë që IML-ja është kapluar nga zjarri, e njëjta kishte ndodhur edhe në mars të këtij viti ndonëse me dëme më të vogla.
Mustaqet e Adem Jasharit dhe gishti i Isa Boletinit u dogjën nga zjarri në IML