Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i është kundërpërgjigjur shefit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri.
Haxhiu i ka thënë Tahirit se prej që është angazhuar në politikë, nuk ka bërë asnjë skandal dhe nuk është përfshirë në ndonjë aferë korruptive.
“I nderuar z.Tahiri, që nga viti 2010 jam angazhuar në politikë dhe për të gjithë veprimtarinë time politike, publike ndihem krenare. Ti nuk mundesh me gjetë asnjë moment kur unë kam bërë një skandal ose kur unë jam përfshirë në aferë korruptive”, ka thënë Haxhiu.
Ministrja Haxhiu ka thënë se asnjëherë nuk ka bërë veprime të paligjshme.
“Kurrë asnjëherë prej që kam qenë deputete e tashmë ministre nuk kam bërë veprime të cilat kanë qenë të paligjshme ose të cilat mund ta cenojnë reputacionin ose integritetin tim”, ka thënë Haxhiu.
Kjo replikë e ministres vjen pasi shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, i ka thënë ministres Albulena Haxhiu se po të kishin humbur mostrat e vdekjes së Astrit Deharit gjatë kohës kur ai shërbente si ministër i Drejtësisë, nuk do të mundte të vazhdonte të ishte prezent në sferën publike.