Kundër marrëveshjes mes Kosovës dhe Danimarkës për të burgosurit ka dal deputeti i VV-së, Gazmend Gjyshinca.
Duke theksuar se do të abstenojë, Gjyshinca ka treguar se pse nuk do ta përkrahë këtë marrëveshje.
“Në lidhje me pikën të cilën po diskutojmë, dua ta shpreh shqetësimin tim që do të përkthehet pastaj në votë abstenuese. Mbi çfarë ndërtohet ky shqetësim ka të bëjë më një refuzim ideologjik që unë e kam përballë nismave të tilla. E shoh në perspektivën e prestigjit të shtetit, të drejtës ndërkombëtare. dhe traditës shtetërore që ne reprezentojmë”, ka thënë Gjyshinca.
Gjyshinca ka thënë se kjo çështje ka të bëjë me prestigjin e shtetit të Kosovës.
“Konsideroj se Kosova, se pa marrë parasysh për kë bëhet fjalë, në rend të parë e ka interesin e saj, traditën shtetërore, prestigjin, ruajtjen e sovranitetit dhe pavarësisë së saj. Dhe kështu ndërtohet prestigji në arenën ndërkombëtare. Për mua intelektualisht është e papranueshme një marrëveshje të tillë, edhe pse kostoja financiare mund të jetë e favorshme për Kosovën”, ka thënë ndër të tjera Gjyshinca.
Kjo marrëveshje u diskutua edhe nga deputetët e opozitës dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, por, në mes të mospajtimeve kryekuvendari, Glauk Konjufca, vendosi që të shtyhet për këtë marrëveshje.