Dëshmitari i 29-të në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve i paaftë të dëshmojë për momentin

Sipas njoftimit të DhSK-së, trupi Gjykues në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve miratoi kërkesën e Mbrojtësit kujdestar të dëshmitarit dhe shtyu këtë dëshmi deri në njoftimin e ardhshëm

Më shumë se një muaj iu deshën Dhomave të Specializuara të Kosovës të njoftojnë (DhSK) për fatin e dëshmisë së dëshmitarit të 29-të (të mbrojtur, me kodin W04577) në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, i cili në seancën e 10 tetorit kishte refuzuar të dëshmojë.

Sipas njoftimit të DhSK-së, trupi gjykues në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve miratoi kërkesën e Mbrojtësit kujdestar të dëshmitarit dhe shtyu këtë dëshmi deri në njoftimin e ardhshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Në lidhje me dëshminë e dëshmitarit të mbrojtur W04577, i cili ishte i pranishëm në gjykatë në tetor për të dëshmuar, Trupi Gjykues në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve miratoi kërkesën e Mbrojtësit kujdestar të dëshmitarit dhe shtyu këtë dëshmi deri në njoftimin e ardhshëm. Pas konstatimit të Zyrës për Mbrojtjen dhe Mbështetjen e Dëshmitarëve (“ZMMD”) se dëshmitari është i paaftë të dëshmojë për momentin. Trupi Gjykues urdhëroi ZMMD-në të jetë në kontakt me dëshmitarin dhe, varësisht nga pëlqimi i nevojshëm, t’i raportojë Trupit Gjykues çdo dy muaj për aftësinë e dëshmitarit për të dëshmuar”, thuhet në njoftimin e DhSK-së.

Ndryshe, më 10 tetor 2023, me të përfunduar dëshminë e tij dëshmitari i 28-të, kryetari i trupit gjykues në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, Charles Smith III, kishte ftuar për të dhënë dëshminë e tij dëshmitari i 29-të. Mirëpo, me të filluar pyetjet e prokurorit James Pace, dëshmitari ka kërkuar pushim.

“Kërkoi pushim se nuk po ndihem mirë. Dua me u konsultu me një avokat se nuk po i kuptoj bash mirë”, pati thënë ai.

Në vazhdim të rezistencës së tij për të mos dëshmuar, dëshmitari i 29-të pati deklaruar se nuk ishte i gatshëm që të dëshmonte, por ishte i gatshëm që të shkonte në burg. Po ashtu, ai kërkoi edhe nga trupi gjykues që t’i japin një muaj kohë në këtë proces.

Kërkesa e tij u refuzua pjesërisht nga trupi gjykues, kështu që u mor vendim që dëshmitari i 29-të ta vazhdojë dëshminë e tij të hënën e 16 tetorit.

Mirëpo, në seancën e 16 tetorit, pa njoftuar fare për fatin e dëshmisë së dëshmitarit të 29-të, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, ka vazhduar seancën me dëshminë e dëshmitarit të 30-të.

Lidhur me ketë dëshmitar, avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, pati thënë se mbrojtja e Veselit janë të shqetësuar me mënyrën e ofrimit te dëshmive nga ky dëshmitar.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022, ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika