Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka folur në lidhje me raportimet se Gani Jakupi merr 7 mijë e 500 euro pagë.
Këtë pyetje ia bëri Ariana Musliu e PDK-së, e cila kërkoi sqarime nga ministrja.
Gërvalla u përgjigj duke thënë se vlera e 7 mijë e 500 eurove nuk është pagë mujore, por, sipas saj, është një shumë modeste për lobimin që Jakupi e bën.
“Sa i përket pagës prej 7 500 euro, pikërisht partia që ju përfaqësoni ka paguar 50-fishin. Për PDK hezitoj që të diskutoj për financa, unë ju dëgjova, sepse ju e shfrytëzon mikrofonin vetëm për të bërë gënjeshtra. Kjo nuk është pagë, është një projekt i lidhur me objektiva të qarta”.
“Me këtë shumë modeste që nuk është pagë mujore është shumë modeste për gjithë lobimin që bën. Ai nuk është këshilltar i imi, ai ka një kontratë. Më vjen keq që Gani Jakupi përballet me një fushatë të tillë”, tha ajo.
Ndryshe, mediumi “Periskopi” ditë më parë kishte raportuar se këshilltari i angazhuar nga Gërvalla merr pagë mujore 7 mijë e 500 euro.