Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, është takuar edhe me presidentin e serbisë, Aleksandër Vuçiq, në kuadër të margjinave të Forumit Ekonomik Botëror që po mbahet në Davos të Zvicrës.
Përmes një postimi në Facebook, Abazoviq ka thënë se Mali i Zi është duke bërë përpjekje maksimale për të promovuar politikën e bashkëpunimit rajonal, pajtimit, bashkëjetesës, lidhjes më të mirë ekonomike në Ballkanin Perëndimor.
“Marrëdhëniet me Serbinë prioritet, jemi të gatshëm për bashkëpunim intensiv në të gjitha fushat me interes të përbashkët”, ka shkruar Abazoviq.
#MNE🇲🇪 ulaže maksimalne napore da se na Zapadnom Balkanu promoviše politika regionalne saradnje, pomirenja, suživota, bolje ekonomske povezanosti.
Odnosi sa 🇷🇸 prioritetni – spremni smo na intezivnu saradnju u svim oblastima od zajedničkog interesa. Sastanak na @wef sa @avucic. pic.twitter.com/QhCu7EA8uV
— Dr Dritan Abazovic (@DritanAbazovic) May 25, 2022
Ndërkaq, gjatë takimit të tyre, Kurti e ka uruar kryeministrin Abazoviq për marrjen e detyrës, duke i dëshiruar suksese në arritjen e rezultateve për qytetarët.
Në këtë takim u diskutua për lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve, si dhe potencialin e bashkëpunimit në shërbim të zhvillimit më të madh socio-ekonomik dhe rritjes së investimeve në të dyja vendet.
Po ashtu, janë veçuar projektet e përbashkëta infrastrukturore që lidhin Kosovën dhe Malin e Zi, siç janë rruga Deçan-Plavë dhe Pejë-Rozhajë, e që do të afrojnë qytetarët dhe do të ndihmojnë ekonominë e të dyja vendeve.
Ndërkohë, është biseduar për thellimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve të Qeverisë së Republikës së Kosovës me Qeverinë e Republikës së Malit të Zi, si dhe për organizimin e një mbledhje G2G ndërmjet të dyja qeverive brenda këtij viti.