Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk është ai i cili duhet ta publikojë draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Këtë, sipas tij, duhet të bëjë ndërmjetësi evropian.
Propozimi i zyrtarëve perëndimorë për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë u është prezantuar Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, më 21 tetor nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara (SHBA), të Bashkimit Evropian (BE), Francës, Gjermanisë dhe Italisë.
“Tash i përket ndërmjetësit [BE-së], i përket ndërmjetësit evropian që ta bëjë publik draftin, dhe kjo është arsyeja pse unë nuk i bëj dot publike vërejtjet dhe kritikat e mia. Besoni që ka akterë të ndryshëm që mezi presin unë të bëj shkelje të procesit dhe procedurave dhe kjo do ta dëmtonte përfaqësimin e Republikës së Kosovës. Sa për mua le ta publikojnë edhe draft-statutin, e kësisoj të hapet edhe rruga për të publikuar edhe ne vërejtjet e kritikat tona”, tha Kurti para gazetarëve të premten në Prishtinë, shkruan REL.
Kurti përsëriti se më 26 tetor, në takimin në Bruksel me liderët evropianë, ka shprehur gatishmërinë për të nënshkruar “paketën, jo njërin prej teksteve”, që, sipas tij, nënkupton së pari Marrëveshje Bazike, Aneksi i zbatimit dhe pastaj draft-statuti.
Ndërkaq, në fillim të këtij viti arritën Marrëveshjen drejt normalizimit dhe Aneksin për zbatimin e tij.
Marrëveshja, prej 11 nenesh, mes të tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.
Sipas Kurtit, duke refuzuar nënshkrimin, Serbia nuk dëshiron asociacion për serbët e Kosovës, por “kundër Kosovës”.
“U lëshua një shans unik e i jashtëzakonshëm që të vuloset normalizimi. Me këtë rast më lejoni të theksoj që nesër Serbia do të ishte e interesuar për normalizim, përveç që nuk do ta shkelte Marrëveshjen Bazike të 27 shkurtit, njëkohësisht ajo do të bënte hapa të përparimit sa i përket kapitullit 35 të negociatave për anëtarësim në Bashkim Evropian”, tha Kurti.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se marrëveshja nuk ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën, prandaj Prishtina zyrtare nuk pranon ta zbatojë atë marrëveshje.
Nga ana tjetër, Beogradi ka ngulur këmbë që Asociacioni të formohet ashtu siç është arritur pajtim në Bruksel, e jo që disa pika të harmonizohen me Kushtetutën e Kosovës, siç ka propozuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Të dy vendet janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.
Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.