Shërbimi i sigurisë së Ukrainës tha se ka arrestuar një zyrtar lokal që ka bashkëpunuar me forcat ruse, të cilëve ua ka dorëzuar babain e tij “për t’u torturuar”.
Kievi është duke përndjekur mijëra zyrtarë ukrainas dhe shërbyes civilë në lindje dhe jug të shtetit, të cilët tha se kanë mirëpritur dhe kanë punuar me Rusinë, pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Shërbimi i sigurimit të Ukrainës (SBU) tha më 24 nëntor se ka arrestuar një ish-zyrtar lokal, të paidentifikuar, nga rajonin jugor i Hersonit, që tha se ishte “një prej zyrtarëve të lartë që u ofroi ndihmë pushtuesve në luftën e tyre kundër Ukrainës”.
SBU tha se zyrtari u ka dhënë trupave ruse emra dhe adresa të disa anëtarëve të grupeve lokale të rezistencës, përfshirë emrin e babait të tij.
“Babai i tij, një patriot, u dërgua në një qendër ruse të torturës dhe ishte subjekt i formave të ndryshme të torturës në tentim që ta bindnin që të bashkëpunonte me rusët”, tha SBU-ja.
SBU tha se ish-zyrtari lokal përballet me burgim të përjetshëm nëse gjendet fajtor për akuzat për tradhti të lartë dhe bashkëpunim, shkruan REL.
Ukraina ka hapur mbi 6.600 raste penale “kundër individëve për bashkëpunim dhe për krime të tjera të lidhura me luftën në Ukrainë”, që kur ka nisur lufta, thanë javën e kaluar Kombet e Bashkuara.