Shkupi vendos heqjen e ndalimit të fluturimit për ministrin e Jashtëm rus, Lavrov

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka vendosur të lehtësojë sanksionet kundër Federatës Ruse, duke hequr kufizimet për fluturimet e avionëve rusë në hapësirën e saj. Ky vendim vjen me qëllim që të mundësohet pjesëmarrja e ministrit të Jashtëm rus, Sergej Lavrov, në konferencën vjetore të OSBE-së në Shkup

Sergej Lavrov, Ministër i Jashtëm i Rusisë

Qeveria e Maqedonisë së Veriut mori vendim të premten për një lehtësim të sanksioneve kundër Federatës Ruse, duke hequr masën kufizuese për fluturimin e avionëve rus në hapësirën e saj, për t’i mundësuar në këtë mënyrë pjesëmarrjen në konferencën vjetore të OSBE-së në Shkup ministrit të Jashtëm, Sergej Lavrov.

Pas një sërë spekulimesh mëngjesin e së premtes se Qeveria kishte hequr sanksionet, Ministria e Jashtme lëshoi një komunikatë në drekë duke bërë me dije se bëhet fjalë për një “plotësim” të vendimit të mëparshëm që pasoi vendimin e Bashkimit Evropian për sanksionet kundër Rusisë, pas agresionit ushtarak ndaj Ukrainës.

“Qeveria maqedonase me anë të këtij ‘plotësim – vendimi’, i autorizon Ministritë përkatëse që të vendosin vetë për dhënien e lejes për fluturimin dhe uljen e avionit rus për shkak takimit ministror të OSBE-së në Shkup, nga 29 nëntori deri më 1 dhjetor 2023”, thuhet në njoftim.

Autoritetet qeveritare të Maqedonisë së Veriut theksojnë se “plotësimi i vendimit është në përputhje me rregulloren e BE-së dhe dispozitat në vetë masat kufizuese, me të cilat, parashikojnë përjashtime nga kufizimet në fjalë për konferencat ndërkombëtare, siç është OSBE-ja”.

Ndërkohë, sipas medive lokale në Shkup, kryediplomati rus Lavrov do të udhëtonte përmes Bullgarisë apo Greqisë, të cilat po ashtu do të mundësonin kalimin nëpër hapësirat e tyre ajrore.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i cili është kryesues i radhës me OSBE-në tha para disa ditësh se është në kontakt me kabinetin e zotit Lavrov dhe se ai ka shprehur interesimin të marrë pjesë në këtë konferencë të rëndësishme.

Zoti Osmani e ka vlerësuar takimin e nivelit të lartë si ngjarjen më të rëndësishme të kryesimit të OSBE-së nga Maqedonia e Veriut, por ai ka lënë të kuptohet se Moska mund t’i bllokojë planet për drejtimin e ardhshëm të organizatës dhe zgjedhjen e sekretarit të Përgjithshëm të saj, që ndoshta do të vinte në pikëpyetje të ardhmen e organizatës më të madhe të sigurisë në botë, shkruan VOA.

Maqedonia e Veriut po bën përgatitje për këtë takim në nivel ministrash ku pritet të jenë të pranishëm rreth një mijë përfaqësues të delegacioneve nga vendet anëtare të OSBE-së. 30 nëntori dhe 1 dhjetori janë shpallur ditë pushimi në kryeqytet për të lehtësuar trafikun dhe qarkullimin e pjesëmarrësve në konferencë.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika