Presidenti amerikan, Joe Biden, ka falënderuar homologun e tij meksikan, Andres Manuel Lopez Obrador, për arrestimin e shefit të sigurisë për djemtë e ish-bosit të kartelit të Sinaloas, Joaquin “El Chapo” Guzman.
Nestor Isidro Perez Salas është arrestuar nga Garda Kombëtare e Meksikës në një pronë të grupit Sinaloa. Në SHBA, ai ishte i kërkuar me nofkën “El Nini”.
Administrata amerikane kundër drogës kishte ofruar shpërblim prej 3 milionë dollarëve për kapjen e tij. Ai është i kërkuar në SHBA për importin dhe shpërndarjen e fentanilit në SHBA. Ai dyshohet se ka mbrojtur djemtë e bosit të burgosur “El Chapo” Guzman.
Perez Salas ishte udhëheqës i ekipit të sigurisë që njihet me emrin “Ninis”, që kujdesej për djemtë e bosit meksikan të drogës.
Ky grup ishte stërvitur ushtarakisht në disa zona meksikane.
Arrestimi i Perez Salas është bërë pak ditë pasi presidenti meksikan u takua me Bidenin në San Francisko.
Ai ka premtuar se do të arrestojë edhe anëtarë të tjerë të kartelit “Sinaloa”.