Qeveria maqedonase ka vendosur që të heqë ndalesën e fluturimeve të avionëve rusë, për t’i mundësuar delegacionit rus, që përfshin edhe kryediplomatin Sergei Lavrov, për të ateruar në Shkup. Lavrov parashihet të marrë pjesë në Këshillin Ministror të shteteve anëtare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) që mbahet më 30 nëntor dhe 1 dhjetor.
Vendimi i Qeverisë maqedonase erdhi pasi Ministria e Jashtme dhe ajo e Mbrojtjes dhanë miratimin për lejimin e fluturimit të avionit rus dhe të aterimit të tij.
Pavarësisht këtij vendimi, Shkupi tha se sanksionet e vendosura ndaj Rusisë për fluturimet e tjera nuk do të hiqen.
Por që pjesëmarrja e Lavrovit të jetë e sigurt, ndalesa e fluturimit duhet të hiqet edhe nga një shtet fqinj i Maqedonisë së Veriut, Bullgaria apo Greqia.
Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriu, Bujar Osmani, paraprakisht ka thënë se Lavrov i ka dërguar një letër në fillim të nëntorit, në të cilën, “ka treguar interes dhe kërkesë për të siguruar praninë e tij në Shkup”.
Para disa ditësh, Osmani tha se kërkesat për viza të delegacionit rus janë duke u proceduar dhe sapo të ketë informacione, opinioni do të informohet.
“Vendimi për sanksionet e Bashkimit Evropian nuk vlen për ngjarjet e natyrës shumëpalëshe siç është OSBE-ja, prandaj është vendim i qeverive që duhet ta sjellin, por ka një bazë ligjore në BE. Tani, ne dhe të paktën një nga vendet tona fqinje duhet të marrim një vendim të tillë. Bullgaria apo Greqia për të mundësuar një fluturim të tillë”, tha ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, më 15 nëntor.
Këshilli Ministror i OSBE-së, që do të mbahet në Shkup, shihet si një ngjarje kyçe, në të cilën, do të vendoset se si do të funksionojë organizata në të ardhmen, duke pasur parasysh pengesat dhe bllokadat e vazhdueshme të vendosura nga Rusia që nga nisja e pushtimit të Ukrainës shkurtin e vitit të kaluar.
Një nga sfidat kryesore është gjetja e një vendi që do të marrë Presidencën nga Maqedonia e Veriut për vitin e ardhshëm.
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, tha se tre skenarët për zgjidhje të mundshme që kanë qarkulluar deri më tani në opinion janë ende në lojë, shkruan REL.
E para është të arrihet një konsensus për kryesimin e Estonisë, e dyta është gjetja e një vendi tjetër, për të cilin, 57 shtete anëtare do të arrijnë një konsensus dhe e treta është që Maqedonia e Veriut të jetë në krye të organizatës edhe vitin e ardhshëm.
Në Këshillin Ministror në Shkup që do të mbahet më 30 nëntor dhe 1 dhjetor, do të marrin pjesë 76 delegacione, 57 nga shtetet anëtare të OSBE-së dhe shtetet e tjera partnere të organizatës.