Në sheshin e qytetit në Podujevë është mbajtur manifestimi dhe zbulimi i shtatores së veprimtarit të çështjes kombëtare Adem Demaçi.
Për ta madhështuar këtë ngjarje pjesëmarrës në këtë manifestim ishin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, familja e bacës Adem dhe bashkëveprimtarë të bacës nga të gjitha trevat shqipfolëse.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij ka thënë se kjo përmendore do të deklarojë para brezave një virtyt të dyfishtë të shoqërisë.
“Sot jemi mbledhur për një homazh më shumë e për një imazh më të ngurtë të njeriut tonë të madh politik, Adem Demaçit. Personalitet unik me veprime dhe gjuhën e tij, me vetëmohimin për të tjerët dhe për shqipen tonë të dashur. Kjo përmendore do të deklarojë para brezave një virtyt të dyfishtë të shoqërisë. Është njëherësh shenja e guximit dhe barra e drejtësisë që ne i premtojmë vetvetes si garancë të një të ardhmeje që ia vlen. Përmendore edhe për mendjen tonë përpara sipas përkujtimit për të e që nuk na lë. Baca Adem ishte figura shumëkëndore e realitetit…”, u shpreh Kurti.
Me prejardhje nga fshati Lupq i Podujevës, Demaçi u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë, ndërsa më 26 korrik 2018 ndërroi jetë.
Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Ai u quajt edhe Nelson Mandela i Evropës.
Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga viti 1990 deri në vitin 1995.
Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998-1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së. Ishte njëkohësisht kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007).
Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij, u shndërrua në një personalitet të përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare. Ai ka shkruar romanin “Gjarprijt e Gjakut” i cili u ndalua nga regjimi ish-komunist. Ai e pa dritën vetëm pas viteve nëntëdhjetë.