Dy të dyshuarit për grabitjen që ka ndodhur në argjendarinë “Diakos” në Suharekë kanë dalë para Gjykatës së Prizrenit një ditë pas arrestimit të tyre.
Prokuroria e Prizrenit po i ngarkon me veprën penale – dhënia e ndihmës gjatë kryerjes së veprës penale të grabitjes.
Prokuroria ka kërkuar një muaj paraburgim për dy të dyshuarit.
KALLXO.com merr vesh se të pandehurit janë A.B. dhe F.T.
Ata janë arrestuar në lidhje me grabitjen e armatosur që ka ndodhur në një argjendari në qendër të Suharekës më 22.11.2023.
Vlera e arit të grabitur nga katër të dyshuarit llogaritet të jetë mbi 200 mijë euro.
Mbrëmë, dy persona janë arrestuar nga ana e Policisë së Kosovës për rastin e grabitjes së një argjendarie në Suharekë.
Burime brenda Policisë së Kosovës kanë konfirmuar për Dukagjinin se personat e arrestuar nuk janë ata që e kanë kryer grabitjen por ndihmësit e tyre.
Burimet thonë se ata janë nga rrethina e Mitrovicës.
Ndërkohë, këtë informacion për Dukagjinin e kishte konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
“Si rezultat i angazhimeve të pandërprera të njësiteve policore dhe si rezultat i hetimeve intensive, është arritur të identifikohen dhe njëherit të arrestohen dy persona të dyshuar, të cilët dyshohet se janë përfshirë në ndihmë të kryerjes së veprës penale të grabitjes në Suharekë”, ka thënë Kelani.
Tutje ai ka theksuar se “të dyshuarit, tanimë të arrestuar janë shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtejme”.
“Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, do të vazhdojë të kryej hetime intensive, me qëllim të arrestimit të të gjithë personave të dyshuar të përfshirë në rastin e grabitjes në Suharekë dhe sjelljen e tyre para organeve të drejtësisë”, ka përfunduar ai.
Ndryshe, mbrëmjen e së mërkurës të datës 22 nëntor ka ndodhur një plaçkitje e armatosur në një argjendari në qytetin e Suharekës.
Në tentativën për ta parandaluar plaçkitjen, është plagosur një polic i Kosovës në këmbë.