Ndonëse nuk u miratua nga Komisioni për Buxhet, propozimi për tërheqjen e mjeteve nga Fondi i Kursimeve pensionale (Trust), do të shqyrtohet në Kuvendin e Kosovës pa aprovimin e këtij komisioni.
Disa nga deputetët opozitarë të këtij komisioni ishin pro, ndërsa votat e pushtetit ishin kundër.
Në anën tjetër, Verica Ceraniç e Listës Serbe ishte pro, ndërsa Duda Balje abstenoi.
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka iniciuar një ndryshim të këtij ligji duke kërkuar që qytetarëve t’u mundësohet tërheqja e mjeteve nga Trusti për të tejkaluar krizën ekonomike.
Sipas Haxhiut, qytetarët që nga fillimi i 2020-ës janë duke u përballur me kriza, atë të pandemisë, pastaj atë energjetike e së fundmi edhe këtë të inflacionit.
“Personat që kanë kursime më pak se 10 mijë euro kanë të drejtë të tërheqin deri 30 për qind të kursimeve. Ata që kanë prej 10 mijë deri 19.999 euro mund të tërheqin deri në 25 për qind të trustit. Ata që kanë nga 20 mijë deri më 29.999 euro mund të tërheqin deri në 20 për qind. Nga 30 mijë deri në 39.999 euro mund të tërheqin 15 për qind të kursimeve. Dhe ata që kanë më shume se 40 mijë euro mund të tërheqin deri në 10 për qind të kursimeve pensionale”, ka thënë ai.
Ndryshe, Haxhiu, me vetiniciativë kishte dorëzuar në Kuvend Projektligjin për Fondet Pensionale të Kosovës, më nëntë mars.
Mundësinë për tërheqjen e mjeteve monetare nga Trusti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e ka parë si zgjidhje.
“E kemi thënë shumë më herët, edhe kur ishim në opozitë edhe tani. Me pakon e ringjalljes ekonomike e zbusim krizën, e cila për shkak se ka faktorë më të mëdhenj sesa në vendin tonë, nuk është e elimuneshme përnjëherë. Por, nuk konsiderojmë se duke marrë nga pleqëria individuale e punëtorëve të tanishëm, do të mund ta zgjidhim problemin. Edhe ekspertët kanë thënë se një zgjidhje e tillë nuk është zgjidhje”, kishte thënë ai para mediave.
Ndërkohë, të enjten e 26 majit me moton “Dil protesto për paratë e tua”, do të protestohet për lejimin e tërheqjes së një përqindjeje të mjeteve të Trust-it pensional nga qytetarët.
Ndërkaq, një tërheqje e ngjashme deri në 10 për qind është bërë edhe në vitin 2020, pas përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve, për shkak të pandemisë COVID-19.
Nga Trusti ishin tërhequr afro 200 milionë euro nga mbi 420 mijë kontributpagues.
Tërheqja ishte bërë pas miratimit të Ligjit për rimëkëmbjen ekonomike.
Komisioni nuk e miraton kërkesën që ndryshimi i ligjit të kalojë për shqyrtim