Hamasi i liron edhe 11 pengje izraelite, Izraeli 33 të burgosur palestinezë

Katari njoftoi të hënën vonë se 11 pengje izraelite, në mesin e tyre shtetas gjermanë, argjentinas dhe francezë, janë liruar sot prej Rripit të Gazës nga Hamasi

Katari njoftoi të hënën vonë se 11 pengje izraelite, në mesin e tyre shtetas gjermanë, argjentinas dhe francezë, janë liruar sot prej Rripit të Gazës nga Hamasi – grupi radikal palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme i Katarit, Majed Al Ansari, shkroi në rrjetin social X se Izraeli i ka liruar nga burgjet e veta tri gra dhe 30 fëmijë izraelitë.

“Izraelitët e liruara nga Gaza përfshijnë tre shtetas francezë, dy shtetas gjermanë dhe gjashtë shtetas argjentinas”, shkroi ai, duke shtuar se ata “iu dorëzuan Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq”.

Paraprakisht, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se 11 pengjet ishin rrugës drejt kthimit nga Gaza në Izrael.

“Bazuar në informatat që i morëm nga Kryqi i Kuq, 11 pengje janë rrugës për në territorin izraelit”, tha IDF-ja.

Ky është grupi i katërt i pengjeve të liruara nga Hamasi prej se nisi armëpushimi i përkohshëm në mes të Izraelit dhe grupit radikal të premten.

Katari, bashkë me Shtetet e Bashkuara dhe Egjiptin, janë ndërmjetësuesit kryesorë të konfliktit të vazhdueshëm në mes të Izraelit dhe Hamasit.

Deri tani, përjashtuar lirimin e pengjeve sot, 58 pengje janë liruar gjatë armëpushimit të tanishëm, përfshirë 39 izraelitë, në këmbim të 117 palestinezëve të liruar nga burgjet izraelite.

Të hënën më herët, Izraeli dhe Hamasi u pajtuan për vazhdimin e armëpushimit – i cili do të skadonte sot – për edhe dy ditë të tjera.

Armëpushimi që nisi të premten në mëngjes u solli 2.3 milionë palestinezëve pakëz qetësi nga bombardimet e pareshtura izraelite, si pasojë e të cilave janë vrarë mijëra njerëz dhe janë rrafshuar ndërtesat e banimit, ndërsa tri e katërta e popullsisë u detyruan t’i braktisnin shtëpitë e veta.

Lufta shpërtheu më 7 tetor, kur luftëtarët e Hamasit në Gazë i thyen barrierat kufitare dhe u futën në jug të Izraelit, duke i vrarë së paku 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke i rrëmbyer 240 të tjerë, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar.

Izraeli shpalli gjendje lufte menjëherë, duke kryer bombardime disajavore dhe duke e nisur një ofensivë tokësore, si pasojë e të cilave u vranë mbi 14.500 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e kontrolluar nga Hamasi. Rreth dy të tretat e të vrarëve në Gazë ishin gra dhe të mitur./REL

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika