Në komunat veriore përpos problemeve të përditshme të sigurisë e ato sociale, barrë financiare ka qenë pajisje me certifikatë të pronës.
Nga Mitrovica Veriore në Prishtinë, pothuajse që nga paslufta është dashur të udhëtojnë për t’u pajisur me fletë poseduese të pronës dhe kopje të planit.
Shaban Ramadani është një ndër qytetaret e parë që këto dokumente po i nxjerr në Zyrën Kadastrale në objekt të komunës.
Shaban Ramadani, qytetar ka theksuar se “Jetoj në Suhodoll në Mitrovicë, pronat i kam në pjesën veriore. Kështu që sot pas 24 viteve për herë të parë i nxjerrim dokumentet, si duhet me rregull, si duhet.”
Në ri-funksionalizimin e saj morri pjesë edhe ministri i Infrastrukturës, i cili thotë se ky shërbim do të ofrohet edhe nëpëër komunat tjera veriore.
Liburn Aliu, Ministër i Infrastrukturës ka theksuar se “Sot po ashtu e bëjmë e hapjen edhe të Zyrave Komunale Kadastrale për herë të parë pra që nuk kanë qenë pëpara, në komunën e Zveçanit, Leposaviqit dhe në komunën e Zubin Potokut”
Me të përfunduar lufta, të gjitha dokumentet origjinale të kadastrit janë marrë nga autoritetet serbe gjatë tërheqjes nga Kosova, problem me të cilin përballet edhe kjo zonë.
Erden Atiq, Kryetar i Mitrovicës Veriore ka theksuar se “Me rëndësi është që ne si komunë, si Mitrovicë e Veriut, kemi rifilluar qysh tha edhe ministri më herët me funksionalizimin e shërbimit kadastral, detaje tjera për kështu të dimensionit politik janë për tjetër kë.”
Qytetarët kanë mundur të pajisen me këto dokumente edhe nga institucionet paralele, por sipas Drejtorit të Kadastrit, ato fleta poseduese të pronës nuk i njeh Republika e Kosovës.
Avni Ahmeti, nga Agjencia Kadastrale e Kosovës ka thënë se “Ka mundësi që lëshojnë certifikata kadastrale mirëpo të cilat nuk janë të vlefshme dhe nuk kanë ndonjë efekt juridik sa i përket institucioneve dhe kryerjes së një aktiviteti zyrtar ligjor në Republikën e Kosovës.”
Në vitin 2011 në Bruksel është arritur marrëveshje me qëllimi që të kthehet dokumentacioni kadastral i Kosovës i vjedhur nga Serbia. Megjithatë ende në duart e autoriteteve serbe mbetet mbi katër milionë dokumenteve kadastrale të gjitha të skanuara në Serbi.