Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, bashkë me djalin e tij Malin ka udhëtuar sot drejt Shqipërisë. Në Tiranë ka bërë homazhe te shtatorja e komandantit legjendar, Adem Jashari.
Ai ka thënë se heroi, Adem Jashari, është mishërim i gjithë historisë së lavdishme shqiptare.
Sipas Krasniqit, vlerat e atdhedashurisë, të trimërisë dhe të flijimit për liri vijnë nga brezat e shkuar dhe shkrihen në personalitetin e Adem Jasharit.
“Në Tiranë, me Malin, më së pari u ndalëm për të bërë homazhe te shtatorja e Komandantit Legjendar Adem Jashari, heroit tonë kombëtar, i cili është mishërim i gjithë historisë më të lavdishme shqiptare. Vlerat e atdhedashurisë, trimërisë dhe flijimit për liri, vijnë nga brezat e shkuar dhe shkrihen në personalitetin e tij – që përjetësisht do të mbetet i veçuar ne piedestalin e të parëve të kombit”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.