ShBA-ja i kërkon Izraelit të jetë më i kujdesshëm gjatë ofensivës në jug të Gazës

Ky ndryshim në politikat e administratës Biden vjen pas kritikave të fuqishme nga brenda dhe jashtë vendit

FOTO:AFP

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) i kanë kërkuar Izraelit të jetë më i kujdesshëm për t’i mbrojtur civilët dhe për ta kufizuar dëmtimin e infrastrukturës gjatë ndonjë ofensive të mundshme në jug të Rripit të Gazës, thanë zyrtarët e lartë amerikanë të martën.

Ky ndryshim në politikat e administratës Biden vjen pas kritikave të fuqishme nga brenda dhe jashtë vendit.

Një muaj më parë, Shtëpia e Bardhë pati thënë se nuk i kishte vënë “vija të kuqe” Izraelit për mënyrën se si do t’i përgjigjej Hamasit – grupit radikal palestinez, të cilin ajo bashkë me BE-në e ka shpallur organizatë terroriste – pas sulmit të 7 tetorit që luftëtarët e tij e kryen në Izrael, duke i vrarë mbi 1.200 njerëz dhe rrëmbyer 240 të tjerë.

Ofensiva ajrore dhe tokësore e Izraelit në Gazë ka qenë shkatërruese, duke i lënë mbi 15.000 palestinezë të vrarë, dhe duke i detyruar mijëra të tjerë të zhvendosen në jug të vendit, ku janë përballur me mungesë thelbësore të ushqimit, të rrymës dhe të ujit.

Derisa Izraeli ka filluar të mendojë për vazhdimin e luftës kundër Hamasit edhe në jug të Gazës pasi të ketë përfunduar armëpushimi, zyrtarët amerikanë thanë se janë duke biseduar me Izraelin për ta këshilluar të jetë më i kujdesshëm në jug, ku tani ndodhen rreth 2 milionë njerëz.

Ky mesazh është dhënë nga presidenti amerikan, Joe Biden, thanë zyrtarët gjatë një konference me gazetarë.

“Ne e kemi përforcuar këtë gjuhë shumë të qartë me Qeverinë e Izraelit – është shumë e rëndësishme që fushata e Izraelit të kryhet, kur të zhvendoset në jug, në një mënyrë që nuk shkakton zhvendosje të madhe të njerëzve”, tha një zyrtar amerikan, shkruan Rel.

“Në jug nuk mund të përsëritet shkalla e zhvendosjes që ndodhi në veri”, theksoi ai, duke shtuar: “nuk mund të ndodhë”.

Ai tha se ofensiva duhet t’i shmangë sulmet në infrastrukturën e rrymës dhe ujit dhe në zonat humanitare dhe spitalet në jug dhe qendër të Gazës.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, e përshkroi vazhdimin e armëpushimit të hënën për edhe dy ditë të tjera në mes të Izraelit dhe Hamasit si “një fije shprese dhe njerëzie”, por paralajmëroi se ai nuk do të mjaftoi për t’i plotësuar nevojat e njerëzve në Rripin e Gazës.

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika