Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me rastin e festës së 28 Nëntorit, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Kurti pas homazheve ka thënë se Prekazi me “Epopenë e UÇK-së” është shndërruar në kryeqytet të kryengritjes shqiptare.
“Për çdo 28 nëntor ne kujtojmë e përkujtojmë jo vetëm Skënderbeun në Krujë, flamurin tonë dhe çlirimin arbënor nga shekulli i XV, kujtojmë e përkujtojmë jo vetëm Ismail Qemajlin në Vlorë dhe pavarësinë e Shqipërisë, por, gjithashtu, edhe ditëlindjen e komandantit legjendar, Adem Jashari, dhe njëkohësisht shpalljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Kurti.
Kurti është shprehur se në Prekaz kuptojmë se sa i lartë ka qenë çmimi për lirinë që ne e gëzojmë.
“Këtu ne e kuptojmë se sa i lartë ka qenë, flijimi, sakrifica, çmimi për lirinë që ne e gëzojmë e ndaj të cilës duhet të sillemi për përgjegjësi institucionale e qytetare. Lavdi Jasharëve, lavdi kryekomandantit Adem Jashari, lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të gjithë dëshmorëve të kombit”, ka thënë tutje kryeministri i Kosovës.
“Lavdi Jasharajve, lavdi Kryekomandantit Adem Jashari, lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të gjithë dëshmorëve të kombit”, ka thënë tutje Kurti, njofton Kryeministria.