Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i shoqëruar nga Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, morën pjesë në pritjen zyrtare të festës për 111- vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.
Kreu i PDK-së nga Tirana ka dërguar një mesazh të veçantë urimi për të gjithë shqiptarët e posaçërisht për çlirimtarët e UÇK-së që aktualisht ndodhen në Hagë.
“Në pritjen shtetërore për shënimin e 111 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në Tiranë, fatkeqësisht, mungon fizikisht njeriu që e shpalli Pavarësinë e Kosovës. Por, fatmirësisht, nuk mungon edhe pasardhësi i tij. Nga Shqipëria, bashkë me Endritin, ju urojmë përzemërsisht 28 nëntorin të gjithë shqiptarëve, e posaçërisht çlirimtarëve tanë në Hagë”.
“Si individë dhe si popull, me mendje dhe zemër sot jemi pranë tyre, ashtu siç e dimë që edhe ata, me mendje e me zemër, janë pranë nesh. Sot dhe përjetësisht – le të rrojnë Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët”, ka shkruar Krasniqi.