Një grua është vrarë këtë të mërkurë në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Ajo dyshohet se u vra me armë zjarri.
Sipas informatave që posedon redaksia, dyshohet se fillimisht Murseli, i cili ishte me familje në veturë, ishin cak i një grabitjeje, ku pas të shtënave nga grabitësit mbeti e vrarë gruaja e tij.
Dukagjini ka mësuar se e ndjera është gruaja e Naim Murselit, ish-këshilltarit të ish-presidentit, Behgjet Pacolli.
Vrasjen e ka konfirmuar për Dukagjinin zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ajo ka bërë të ditur se gruaja është gjetur pa shenja jete në një veturë.
“Rreth orës 20:20, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në rrugën ‘Dalip Alshiqi’ në Prishtinë. Policia si dhe mjekët emergjentë, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku në një veturë kanë hasur një person pa shenja jete. Vdekjen e viktimës (femër) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, ka thënë Ahmeti.
Sipas informacioneve të para të Policisë, “dyshohet se bëhet fjalë për vrasje me armë zjarri”.
Policia në koordinim me Prokurorinë, tashmë kanë nisur hetimin dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rastit.