Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se hetuesit ka nisur një hetim për të vlerësuar reagimin policor në menaxhimin e protestës që ndodhi të mërkurën, në Prishtinë.
Me anë të një komunikatë për media, lidhur me reagimin policor gjatë menaxhimit të protestës ka pasur ankesa dhe reagime publike edhe nga gazetarë të ndryshëm si dhe vetë Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
“Hetuesit e IPK-së aktualisht janë në fazën e grumbullimit të informacioneve dhe analizimit të pamjeve të ndryshme përfshirë edhe ato që tashmë janë publikuar”, thuhet në njoftimin për media të IPK-së.
Gjashtë anëtarë të Partisë Socialdemokrate (PSD) – e cila nuk përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës – u arrestuan të mërkurën, pasi protestuan kundër kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, duke hedhur bomba tymuese që krijuan tym të madh të zi pranë hotelit në Prishtinë, ku ajo po mbante takim me shoqërinë civile.
Sipas PSD-së, në mesin e të arrestuarve nga Policia e Kosovës gjatë protestës, është edhe kryetari i saj, Dardan Molliqaj. Ndërkaq, Policia e Kosovës nuk është prononcuar lidhur me këtë.
“Kjo është përpjekje për disiplinim dhe përmirësim imazhi për gjykatën e padrejtë speciale”, shkroi PSD-ja në Facebook.
Të mërkurën më vonë, PSD-ja njoftoi se anëtarëve të saj të arrestuar u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë nga Prokuroria.