Ka nisur protesta e zjarrfikësve para Qeverisë.
Ata me protestë po kërkojnë rritje të pagave, pagesa për kujdestari dhe për punë shtesë jashtë orarit, pagesa për rrezikshmëri dhe rritje të numrit të zjarrfikësve nëpër komuna.
Po ashtu, ata po ankohen edhe për mungesë të makinerive dhe të pajisjeve të tjera.
Para disa ditësh, Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës ka paralajmëruar protestë nëse nuk u paguhen shtesat e rrezikshmërisë.
Ata, përmes një komunikate për media, kanë thënë se Qeveria mori vendim selektiv, ku me vendim u siguruan mjetet për rrezikshmëri në punë vetëm për Policinë e Kosovës.
Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka, në një prononcim për Portalin Dukagjini, ka thënë se arsyet për paralajmërimin e protestës janë shprehja e pakënaqësive lidhur me situatën e krijuar në shërbimin e zjarrfikësve.
Sipas tij, probleme që po zgjasin me dekada janë mungesa e vijës së rregullt buxhetore, mosdefinimi i kompetencave menaxhuese në mes te Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave (AME), ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) dhe komunave.
“Pa sigurime shëndetësore, numri i pamjaftueshëm i zjarrfikësve, mungesa e pajisjeve personale dhe të përbashkëta”, ishin arsyet e tjera që Beka ka përmendur, duke shtuar se kanë kërkuar prej vitesh që të zgjidhen këto probleme të krijuara që nga viti 2013.
“Të merret vendim që edhe për zjarrfikësit të realizohet pagesa për rrezikshmëri në punë dhe të fillojë në mënyrë retroaktive që nga muaji shkurt, sepse zjarrfikësit e kishin pagesën për rrezikshmëri, por është ndërprerë pa asnjë analizë dhe arsyeshmëri pse zjarrfikësit nuk kanë pagesë shtesë për rrezikshmëri në punë”, ka thënë Beka.
Kreu i Sindikatës së Zjarrfikësve ka bërë thirrje se derisa janë kompetencat e padefinuara sa i përket menaxhimit në mes të komunave dhe AME/MPB, të sigurohet buxhet emergjent për vitin 2024, sepse, sipas tij, të njëjtat probleme do t’i kenë edhe vitin e ardhshëm.
Tutje, ai ka kërkuar përmirësim të kushteve të punës, furnizim me pajisje, ngritjen e kapaciteteve teknike dhe shtim të zjarrfikësve, sigurim shëndetësor, të përfundohen kontrollat sistematike dhe sigurim të shujtës për ushqim.
Sipas Bekës, kushtet e punës janë të vështira, kanë mungesë te stafit, të pajisjeve e automjete të stërvjetruara.
Beka është shprehur se objektet ku janë të vendosur zjarrfikësit janë të papërshtatshme dhe kanë kushte të dobëta edhe higjeno-sanitare. Mes të tjerash, zjarrfikësit kanë mungesë të aplikimit të masave për siguri dhe mbrojtje në punë. Ata të gjitha shpenzimet për shërim duhet t’i paguajnë nga xhepi.