Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në Konventën e gjashtë të Industrisë së Drurit.
Duke e konsideruar këtë si njërin nga sektorët strategjikë për zhvillimin ekonomik të Kosovës, kryeministri ka thënë se ajo ka potencial për të rritur përfitimet e brendshme nga përdorimi i burimeve vendore, duke kontribuuar edhe në thellimin e lidhjeve me nënsektorët e tjerë, si për shembull, tekstilin, produktet metalike dhe shërbimet që lidhen me industrinë në përgjithësi.
Kurti ka thënë se ndihet i lumtur që sot po flasin për këtë sektor, që krijon vende pune dhe është një shtytës i zhvillimit ekonomik, social dhe mjedisor.
“Kjo industri në zhvillim të vazhdueshëm, jo vetëm në tregun e brendshëm, por edhe në atë të jashtëm, ka kontribuuar me rritje të eksporteve në përmirësimin e bilancit tregtar të vendit tonë”, ka thënë Kurti, duke shtuar se eksportet totale për dyer, dritare, mobileri të drurit dhe ndërtesat e parafabrikuara, në dy vitet e fundit, 2021 e 2022 dhe dhjetë muajt e vitit 2023, janë me vlerë 563 milionë euro.
Siç ka thënë tutje Kurti, eksporti i mallrave ka arritur për herë të parë vlerën prej 920 milionë eurosh në vitin që shkoi, pra 2022, dyfish më shumë se dy vite më parë. Ndërsa, rekordi i eksportit të shërbimeve ka arritur vlerën prej mbi 2.5 miliardë eurosh në vitin 2022, shifër kjo që paraqet 32% rritje nga viti 2021, dhe 153% rritje nga viti 2020, që vetëm pjesërisht shpjegohet me vitin e pandemisë pa vaksina.
Në njoftimin e Kryeministrisë, si rezultat raporti eksport-import është ngushtuar nga gati 1 me 9 sa ishte në vitin 2019, në më pak se 1 me 6 sa është aktualisht. Investimet e huaja po ashtu janë dyfishuar. Për herë të parë ato kanë arritur vlerën rekorde prej 772.3 milionë eurosh në vitin 2022, ose 84% rritje krahasuar me vitin 2021, kurse 101% rritje nga viti 2020 e 138% rritje nga viti 2019 si vit parapandemik.
“Më tej, kryeministri Kurti tha se përpunimi i drurit dhe i mobilëve sipas analizave të përformancës së industrisë në vendin tonë, në kuadër të politikës industriale vlerësohet si nënsektor “Yll në rritje”, kontribuon në 12% bilancin tregtar, duke qenë ndër të rrallët nënsektor që kanë kontribut pozitiv në uljen e deficitit tregtar”, thuhet në njoftim.
Në fund ai ka theksuar rëndësinë e arsimit dual, të aftësimit profesional që lidh shkollimin me tregun, pra shkollimin profesional me tregun e punës, po përgatisim fuqinë punëtore për kërkesat dhe nevojat e tregut.
“Arsimi dhe aftësimi profesional është njëra nga përpjekjet tona më të mëdha të transformimit të ekonomisë sonë, sepse përveçse siguron punësim e rrit produktivitetin e sektorit privat, ofron dhe përplotësim profesional, që ne besojmë se do të ndikojë pozitivisht edhe në rritjen e punësimit, edhe në rritjen e cilësisë përbrenda punësimit, edhe në uljen e migrimit për arsye profesionale”, ka shtuar kryeministri Albin Kurti.
Ndërkaq, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, u shpreh se Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm në shumë sektor industrial, duke veçuar se njëri ndër ta është pikërisht Industria e drurit, e cila ka arritur shifra të suksesshme në eksport.
Hajdari ka thënë se është e lumtur që ndau me të pranishmit Raportin e Progresit të Unionit Evropian, që falë punës dhe kontributit në hartimin e politikave industriale, tregtare dhe të tjera, është arritur që si ministri të dalin me shumë sukses në 16 ligje dhe 39 udhëzime administrative në përputhje me parimet dhe standardet ndërkombëtare dhe direktivat e BE-së, duke sjellë reforma strukturore në përmirësimin e ambientit për zhvillimin e biznesit, klimën e investimeve dhe mbrojtjen e konkurrencës, reformën e mbikëqyrjen e tregut, fuqizimin e mbrojtjes së pronësisë industriale, turizmin e qëndrueshëm dhe vizion të qartë për industrinë e drurit.