Drilon Pireva nga Partia Socialdemokrate e Kosovës (PSD), në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini, ka thënë se aktivistët e arrestuar dje janë duke qëndruar në ndalim 48-orësh.
“Nuk kemi shumë informacione se çfarë po ndodh, dje janë arrestuar, është përdorur një dhunë nga Policia e Kosovës shumë joprofesionale me numrin e protestuesve dhe me mënyrën e protestës që ka ndodhur dje”, ka thënë Pireva.
Pireva ka thënë se ata po dyshohen për përdorim armësh, por ai shprehet se ky është devijim i fakteve. “Besojmë që ky është devijim i fakteve, për këtë arsye ne besojmë se kjo është krejt e padrejtë ajo që ka ndodhur, arsyen pse ka ndodhur akoma nuk e dijmë”, ka thënë Pireva.
“Ideja jonë ka qenë që të protestojmë aty dhe ta ndërprejmë mundësisht diskutimin e Trendafiloves me shoqërinë civile, e cila ishte brenda hotelit. Ne kemi hedhur disa prej tymosëve, të cilët përdoren prej tifozëve, nuk janë armë, janë mjete që përdoren qoftë për festë. Ato zakonisht bëjnë tym dhe nuk dëmtojnë fizikisht askënd. Nuk janë mjete të ndaluara”, ka thënë tutje ai.
Rreth hetimit preliminar që ka filluar Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), Pireva ka shtuar se edhe herave të tjera është përdorur dhunë ndaj aktivistëve. “Besojmë edhe tash që ky inspektorat do të marrë masa të njëjta, duke parë gjithçka që ka ndodhur aty në protestë”.
Pireva nga PSD është shprehur se protesta e djeshme ishte vetëm një aktivitet protestues që nuk prodhonte asnjë problem.
“Donim ta ndërprenim fjalimin e Trendafilovës dhe ky është qëndrim politik i yni, pasi besojmë që e njëjta e ka të rëndësishme që të relativizojë padrejtësinë që është duke ndodhur nga Gjykata Speciale për krerët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së”, ka shtuar Pireva nga PSD.
Pireva ka treguar se edhe herën e kaluar kanë kërkuar që të takohen me Trendafilovën, por e njëjta ishte përgjigjur duke thënë se “nuk takohem me parti politike”.
Lexoni lajmet më poshtë për t’u informuar më shumë rreth protestës së djeshme të Partisë Socialdemokrate të Kosovës (PSD):
- Eskalon protesta e PSD-së e OVL-UÇK-së, hedhin tym të zi e mjete shpërthyese (VIDEO)
- (VIDEO) Molliqaj dhe 5 aktivistë të PSD-së arrestohen nga Policia e Kosovës
- “Nuk e kuptoj pse po bëhen veprimet e tilla, mund të vijnë të diskutojmë”, thotë Trendafilova
- PSD-ja reagon pas arrestimit të kryetarit dhe të pesë aktivistëve të saj: Kërkojmë urgjentisht të lirohen aktivistët tanë