Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë të premten se zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit nuk do të mbahen në zonat serbe në Kosovë, sepse, siç u shpreh ai, “kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk dëshiron t’i lejojë serbët të kenë të drejta elementare”.
“Perëndimi do të thotë se nuk ka mundësi për t’i bërë presion Kurtit dhe do të lëshojë një deklaratë. Tashmë ka pasur një deklaratë nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, dhe kaq”, tha Vuçiq në Dubai, ku po merr pjesë në Samitin e liderëve për ndryshimet klimatike, raporton Beta.
Ai tha se “Kurti insiston ekskluzivisht në njohjen e pavarësisë së Kosovës si kusht për mbajtjen e zgjedhjeve”.
“Ne duhet ta njohim Kosovën në mënyrë që serbët të marrin pjesë në zgjedhje. Pikë. Asgjë më shumë dhe asgjë më pak. Dhe, këtë e dinë të gjithë në Serbi dhe në Evropë. Është mirë që ata do të reagojnë për këtë, por ne nuk do të kemi asgjë nga ai reagim”, ka thënë Vuçiq.
Më 19 nëntor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një letër dërguar shefit të misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Michael Davenport, kishte thënë se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje të posaçme, në mënyrë që pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë, që kanë shtetësi të dyfishtë, të mund të votojnë në territorin e Kosovës për zgjedhjet parlamentare serbe.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë të enjten se nuk do të lejohet mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë në territorin e Kosovës për komunitetin serb të Kosovës muajin e ardhshëm, në mungesë të një kërkese zyrtare nga autoritetet serbe për këtë.
Duke iu përgjigjur zëdhënësit të Bashkimit Evropian (BE), i cili kritikoi Kosovën për ndalimin e mbajtjes së atyre zgjedhjeve në territorin e Kosovës, Bislimi tha se përpjekja për organizimin e zgjedhjeve të “një shteti tjetër në Kosovë” pa kërkesë paraprake, nuk është në frymën e dialogut.