Policia e Kosovës ka konfirmuar se janë arrestuar dy persona të dyshuar në lidhje me vrasjen e gruas së Naim Murselit, ish-këshilltarit të Behgjet Pacollit.
“Pas përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë ndërmarrë veprimeve intensive hetimore të cilat kanë rezultuar në arrestimin e dy personave të dyshuar lidhur me rastin e sipërshënuar”, thuhet në njoftimin e policisë.
Burimet e Dukagjinit bëjnë të ditur se njëri nga të dyshuarit që u arrestua është Naim Murseli, bashkëshorti i gruas së vrarë.
Sipas informacioneve të para, bazuar në dëshminë e të dyshuarit për vrasjen e Liridona Murselit, i njëjti është paguar nga bashkëshorti i saj, tashmë i arrestuar, Naim Murseli.
Këto janë vetëm detajet e para që janë zbuluar pas arrestimit të dy të dyshuarve dhe pritet të konfirmohen nga organet e rendit pasi të sigurohen provat e nevojshme.
Ndërkohë, njësiti i hetimeve të përgjithshme të Prishtinës, në koordinim me Prokurorinë, është duke e vazhduar operacionin e bastisjes në dy lokacione në Gjakovë.
Ndryshe, më 30 nëntor, Liridona Murseli mbeti e vrarë pasi ajo bashkë me burrin e saj dhe fëmijët u bënë cak i një grabitjeje.
Vrasja u krye me armë zjarri, përderisa autorët u larguan nga vendi i krimit me shpejtësi.
Përndryshe, viktima ishte edhe shtetase e Suedisë.