Emisari i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, ka përfunduar vizitën zyrtare në Kosovë, teksa nëpërmjet një videojeje përmbledhëse të takimeve, ka lënë disa porosi.
Peach thekson se Mbretëria e Bashkuar në vazhdimësi përkrah pavarësinë dhe sigurinë e Kosovës, teksa ka thënë se pas takimeve me krerët e shteti është njoftuar për një sërë çështjesh e edhe për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, duke thënë se presin që autorët të japin llogari.
“Në të gjitha takimet kam theksuar mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për pavarësinë dhe sigurinë e Kosovës. Kam dëgjuar me kujdes shqetësimin e thellë pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë dhe kam përsëritur se Britania pret që autorët të japin llogari”, ka thënë ai.
Peach thotë se këtë mesazh e ka dhënë edhe në Beograd javën e kaluar.
“Ky ishte një mesazh që dhashë edhe në Beograd javën e kaluar. Kam dëgjuar nga serbët e Kosovës për shqetësimet e tyre dhe për shpresat e tyre për të ardhmen. Pas dhunës së muajve të fundit, tani me angazhimin e përforcuar të sigurisë ndërkombëtare, është koha për t’i adresuar këto shqetësime dhe për t’i vazhduar me përpjekjet ekzistuese për të siguruar që të gjithë qytetarët të ndjejnë se kanë një të ardhme dhe një Republikë të larmishme dhe multietnike të Kosovës”, ka deklaruar Peach.
Emisari britanik, mes tjerash, bëri të ditur se marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zbatohen e ndër to edhe themelimi i Asociacionit.
“Progresi në themelimin e një Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe konteksti i zbatimit më të gjerë, me marrëveshjet e arritura përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është pjesë e rëndësishme e këtyre përpjekjeve”, ka thënë Peach./ EO