Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka vizituar familjen e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova në përvjetorin e lindjes së tij.
I pari i LDK-së ka thënë se kjo vizitë kësaj radhe ishte më e veçantë pasi u shoqërua edhe nga klasa e parë e gjeneratës së parë së Shkollës Politike me të cilët kanë kujtuar jetën e shqiptarit më të madh; atit themeltar të Republikës e prijësit historik të lëvizjes për liri, pavarësi e demokraci, i cili lindi 79 vite më parë, më 2 dhjetor të vitit 1944.
Ai ka thënë tutje se bashkëshortja e Rugovës edhe kësaj radhe kishte përgatitur embëlsirën e preferuar të ish-presidentit.
“Për të na pritur sa më ngrohtë, si një zonjë shtëpie e vërtetë, Fana Rugova kishte përgatitur edhe këtë vit ëmbëlsirën e saj Tiramisu. Atë të preferuarën e Presidentit. Atë që e kishin shijuar për herë të parë në Romë. Këtë ëmbëlsirë ajo merr mundin ta bëj çdo 2 dhjetor, në ditën e lindjes së Presidentit Rugova. Këtë ëmbëlsirë e kishte bërë edhe këtë herë. Sot, me Albinën, Erën e Rozin, vizituam familjen Rugova. U pritëm nga zonja Fana, Uka, Mendimi e Teuta. Rikujtuam jetën e shqiptarit më të madh; atit themeltar të Republikës e prijësit historik të lëvizjes për liri, pavarësi e demokraci, i cili lindi 79 vite më parë, më 2 dhjetor të vitit 1944”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
“Këtë herë, vizita jonë ishte edhe më e veçantë, sepse u shoqëruam nga klasa e parë e gjeneratës së parë të Shkollës Politike. Ata nga afër panë vet historinë. Atë që bëri lirinë, shtetësinë e vet demokracinë”, ka vijuar ai.
Ai ka thënë se kjo histori qëndron sot jo vetëm si rikujtim i madhështisë, por edhe si detyrim i rrugëtimit të Kosovës përpara.
“Presidenti ka vetëm ditëlindje! Prandaj gjithë rugovistëve, urime kjo datë e ditë”, ka theksuar ai.