Izraeli dhe ShBA fajësojnë Hamasin për përfundimin e armëpushimit

Forcat izraelite kanë intensifikuar bombardimet ndaj Rripit të Gazës sot, duke shënuar ditën e dytë të luftimeve pas përfundimit të një armëpushimi njëjavor mes Izraelit dhe grupit të militantëve të Hamasit. Palët ndërluftuese fajësojnë njëra-tjetrën për ndërprerjen e armëpushimit

Forcat izraelite intensifikuan sot bombardimet ndaj Rripit të Gazës. Kjo shënon ditën e dytë të luftimeve pas përfundimit të një armëpushimi njëjavor mes Izraelit dhe grupit të militantëve të Hamasit.

Palët ndërluftuese fajësojnë njëra-tjetrën për ndërprerjen e armëpushimit. Që nga rifillimi i luftimeve dy ditë më parë, ushtria izraelite thotë se ka goditur më shumë se 400 objektiva të grupit militant.

Zëdhënësi i qeverisë izraelite Ofir Gendelman tha se udhëheqësi i Hamasit në Gazë, Yahya Sinwar, është fajtori kryesor për ndërprerjen e negociatave për vazhdimin e armëpushimit në luftën gati dy mujore Izrael – Hamas.

Zoti Gendelman, akuzoi të shtunën Hamasin se kishte refuzuar lirimin e më shumë pengjeve, gjë që çoi sipas tij në rifillimin e luftimeve në Gazë.

“Ky vendim ka një emër dhe ai është udhëheqësi i Hamasit në Gazë, Yahya Sinwar. Është ai që preferon të vazhdojë torturimin e pengjeve tanë dhe t’i mbajë ata në rrethana jonjerëzore në kundërshtim me çdo normë ndërkombëtare apo moral fetar. Atij nuk i intereson aspak pasojat e këtij vendimi për banorët e Gazës, të cilët dëshirojnë të vazhdojnë armëpushimin dhe të kthehen në jetën e tyre normale”, thotë zëdhënësi i qeverisë izraelite, Ofir Gendelman.

Uashingtoni gjithashtu fajësoi Hamasin si shkaktar të ndërprerjes së armëpushimit.

“Shkaktar i përfundimit të pauzës në luftime është Hamasi pasi grupi militant nuk ofroi një listë të re me emra pengjesh që do të liroheshin”, thotë John Kirby, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë.

Shpërthimet në pjesën lindore të qytetit Khan Younis në Gazë filluan që në orët e para të së shtunës ndërsa sulmet ajrore izraelite vunë në shënjestër qytetin në pjesën jugore të rajonit palestinez.

Izraeli thotë se forcat e tij tokësore, ajrore dhe detare goditën më shumë se 400 “objektiva terroriste” në Gazë.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të premten në Dubai se Izraeli ka filluar të ndërmarrë hapa për të reduktuar numrin e viktimave civile në përballjen e tij me Hamasin duke “u dhënë informacion palestinezëve se ku janë zonat e sigurta” që të shmangin vendet ku do të kryhen bombardime.

“Ushtria izraelite mori në telefon fqinjët tanë e na kërkoi të largohemi pasi shtëpitë tona do të goditeshin. Ne u thamë se nuk kemi asgjë këtu, pse do të na godisni? Ata thanë. ‘Është më mirë për ju të largoheni”, thotë Hekmat Al Qedra, banore e një shtëpie në Khan Younis në Gazë që u shkatërrua nga sulmet izraelite.

Mediat e Hamasit thanë se rreth 200 palestinezë ishin vrarë që nga përfundimi i armëpushimit, duke e rritur numrin e viktimave palestineze që sipas të dhënave të pakonfirmuara nga autoritetet e grupit militant palestinez kanë tejkaluar shifrën 15 mijë të vrarë që nga fillimi i luftës.

Ndërkaq në kryeqytetin jemenas, Sana, pjesëtarë të Lëvizjes shiite, Houthi parakaluan në rrugët e qytetit të shtunën ndërsa njoftuan se do të nisen për në Rripin e Gazës të luftojnë kundër Izraelit.

Pamjet tregonin rekrutë të rinj që marshonin nëpër rrugë, të armatosur me pushkë dhe flamuj palestinezë.

“Në këtë ditë madhështore, populli jemenas pohon gatishmërinë për të mbrojtur xhaminë fisnike Al-Aksa në Jerusalem dhe t’u bashkohen muxhahidëve në Palestinë’”, thotë Muhamed Ali El-Houthi, anëtar i Këshillit Suprem Politik të lëvizjes Houthi në Jemen.

Lufta në Lindjen e Mesme shpërtheu më 7 tetor me sulmin terrorist të Hamasit në jug të Izraelit ku u vranë 1200 persona, kryesisht civilë, si dhe u morën peng 240 të tjerë./ VOA

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika