Presidenti i Bankës Botërore, David Malpass, ka paralajmëruar se pushtimi rus në Ukrainë mund të shkaktojë recesion botëror, teksa çmimi i ushqimit, energjisë dhe plehrave do të rritet.
Teksa ishte i pranishëm në një ngjarje biznesore, Malpass ka thënë se është e vështirë “të shihet se si do të shmanget një recesion”.
Ai iu referua edhe një serie izolimesh në Kinë që po i shtojnë shqetësimet për ngadalësim ekonomik, shkruan BBC.
Komentet e tij janë paralajmërimi i fundit për rrezikun me të cilin mund të përballet ekonomia botërore.
“Teksa shohim Prodhimin Bruto, është e vështirë të shohim se si do të shmangim një recesion”, ka thënë Malpass, duke mos dhenë detaje specifike për parashikimin.
“Dyfishimi i çmimeve të energjisë është mjaftueshëm për të nxitur vetë recesionin”, ka shtuar ai.
Muajin e kaluar, Banka Botërore uli parashikimet për rritje botërore për sivjet për gati një për qind, në 3.2 për qind.
Po ashtu, Malpass ka deklaruar se shumë vende evropiane ishin ende të varura nga Rusia për naftë dhe gaz.
Ai ka potencuar se lëvizjet e Rusisë për të shkurtuar furnizimet me gaz mund të shkaktojnë një “ngadalësim të konsiderueshëm” në rajon.
Sipas tij, çmimet më të larta të energjisë po rëndojnë tashmë Gjermaninë, e cila është ekonomia më e madhe në Evropë dhe e katërta më e madhe në botë.