Qyteza ukrainase Avdivka, e përballur me sulme të vazhdueshme ruse, ka regjistruar zbehje të ofensivës ruse në 24 orët e fundit, për shkak të humbjeve të mëdha të ushtrisë së Rusisë dhe motit të lig, ka thënë kryetari i qytezës, Vitaly Barabash.
Për gati dy muaj, Rusia ka tentuar të marrë kontrollin e Avdivkas, qytezë industriale afër Donjeckut, e cila është kthyer në një prej pikave kyçe të luftimit.
Ushtarët rusë tani janë në lindje, veri dhe jug të qytezës, e cila është kthyer në gërmadhë.
Ukraina ka thënë se ushtria e saj është duke e kontrolluar atë rajon dhe është duke zmbrapsur sulmet.
“Në 24 orët e fundit, numri i sulmeve tokësore është zvogëluar”, ka thënë Barabash, për një transmetues ukrainas.
Ai ka thënë se luftimet janë zbehur për shkak të tre faktorëve – motit të vështirë, humbjeve të mëdha ruse dhe mungesës së ushtarëve.
“Secilën herë e më pak rusë kanë vullnet që të luftojnë”, ka shtuar Barabash.
Radio Evropa e Lirë nuk i ka konfirmuar këto deklarata në mënyrë të pavarur.
Për shkak të luftës për kohë të gjatë, ukrainasit e konsiderojnë qytezën si simbolin e tyre të rezistencës.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën, shkruan REL.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.