Zyrtarët policorë po vazhdojnë ta mbajnë të bllokuar argjendarinë “Baraku”, pronari i së cilës u arrestua për përfshirje në grabitjen në Suharekë.
Argjendaria është bastisur edhe të dielën nga Policia e Kosovës, pas dy bastisjeve që ishin kryer ditë më parë nga zyrtarët policorë.
Pronari i arrestuar dyshohet se ka bashkëpunuar me grupin kriminal në rastin e grabitjes së arit në vlerë të 250 mijë eurove.
Grupi që kreu grabitjen e armatosur në Suharekë pati përleshje me Policinë ditën e enjte, pas një operacioni të gjerë policor, shkruan EO.
Njëri nga grabitësit u vra pas shkëmbimit të zjarrit me Policinë, ndërsa katër të tjerë u arrestuan – teksa kërkimet për ta kapur edhe një të dyshuar po vazhdojnë. Në mesin e të arrestuarve është edhe Trim Baraku, pronar i argjendarisë “Baraku” në Prishtinë.
Ndryshe, pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese kanë kryer përsëri bastisje në argjendarinë në Prishtinë gjatë natës së kaluar, pronari i së cilës ishte arrestuar ditë më parë në lidhje me grabitjen në Suharekë.
Bastisjen e ka konfirmuar për Portalin Dukagjini, prokurorja e rastit, Ervehe Gashi.
Më tej, ajo tha se janë ende në kërkim të personit të arratisur ditë më parë dhe se hetimet janë duke vazhduar.
E pyetur nëse do të ketë edhe të arrestuar të tjerë, ajo është përgjigjur se nuk mund të tregojë arsyet e bastisjes, pasi mund të dëmtohen hetimet operative.
“E gjitha kjo varet në bazë të rezultateve të hetimeve”, u shpreh ajo.