Trupi Gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës ka marrë një vendim në lidhje me komunikimet dhe vizitat e ish-krerëve e UCK-së, respektivisht, Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.
Siç thuhet në njoftim, më 1 dhjetor 2023, Trupi Gjykues në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët lëshoi vendimin e mëtejshëm lidhur me kërkesën e ZPS-së për ndryshimin e kushteve të paraburgimit.
Sipas Trupit Gjykues, ZPS-ja konstatoi se kushtet aktuale të paraburgimit janë të pamjaftueshme për ta zvogëluar rrezikun që tre të akuzuarit të mund të ndërhyjnë në procedurë dhe/ose të paraqesin rrezik për sigurinë e dëshmitarëve.
“Paneli konstaton se duhet të vendoset një sistem që fokusohet në identifikimin dhe përjashtimin e individëve që mund të paraqesin kërcënim për integritetin e procedurës apo që përfshihen në sjellje të papajtueshme me rregulloren. I akuzuari nuk duhet të takohet me më shumë se një vizitor në çdo kohë (me përjashtim të vizitave nga bashkëshortët dhe fëmijët që mund të bëjnë vizita bashkërisht. Të gjithë të paraburgosurit dhe vizitorët duhet të komunikojnë me zë dhe nuk lejohet komunikimi i fshehtë përmes pëshpëritjes apo përdorimi i ndonjë gjuhe të koduar”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Specialja ka njoftuar se ky vendim e zëvendëson vendimin e përkohshëm të datës 17 nëntor.