Teuta Haxhiu, mësuesja e Liridona Ademajt, gjatë rivarrimit të Liridonës ka thënë se nuk do të ndalojnë së kërkuari drejtësi.
“Ende jemi të trishtuar nga vdekja mizore e saj kaq të hershme e porositur nga njeriu i kthyer në përbindësh, nga një frikacak e i pa burrë që askush nuk do ta kishte besuar, më së paku ju që vitet më të mira rinore i ndatë me të”, ka thënë mësuesja e Liridona Ademajt.
“Liridonë e dashur, sot në këto momente të rënda për të gjithë ne kur jemi të detyruar të themi lamtumirën e fundit, krahas dhimbjes së madhe që na gërryen, e gërryen edhe gurin. Jemi krenarë që të patëm bijë kaq të dashur, nxënëse të shkëlqyer, vajzë të devotshme dhe nënë kaq të përkushtuar siç ishe ti, por njëkohësisht shprehim vendosmërinë tonë që të shprehim drejtësi për ty”, ka thënë Haxhiu.
Ajo është shprehur se nuk do të ndalojnë prej asnjë pengese tjetër për ta dërguar në vend drejtësinë, “mbase edhe si ngushëllim për humbjen e pakompensueshme dhe mesazhin që kjo shoqëri ka nevojë“. /KP
Sot është rivarrosur trupi i Liridona Ademajt në fshatin e saj të lindjes në Rracaj të Gjakovës.
Trupi i së ndjerës me kërkesë të familjes është zhvarrosur nga varrezat e fshatit Cërmjan.
Lexo dhe këtë: Rivarroset trupi i Liridona Ademajt në fshatin e saj të lindjes
Qindra qytetarë tashmë kanë shkuar këtë të hënë që ta ngushëllojnë familjen Ademaj.
Në rivarrimin e së ndjerës kanë marrë pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ajo e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ajo e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe ajo e Industrisë, Rozeta Hajdari.
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor në Bërnicë të Prishtinës, në një rast të grabitjes që dyshohet të ketë qenë i orkestruar dhe organizuar nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli.
Të dyshuarit që janë arrestuar janë bashkëshorti Naim Murseli, Granit Plava dhe Kreshnik Kokalla.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masë paraburgimi prej një muaji ndaj tre të dyshuarve.
Në njoftimin e saj, gjykata ka dhënë detaje se si Naim Murseli e kishte planifikuar vrasjen e së ndjerës.
Gjyqtarja e Procedurës Paraprake ka vlerësuar se ekzistojnë bazat dhe arsyet për caktimin e masës së paraburgimit, ngase ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale.
Lexo dhe këtë: “E pajisi me armë”, detaje rreth planifikimit të Naim Murselit për vrasjen e Liridonës
Sipas gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Naim Murseli me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin Granit Plava për ta vrarë tani të ndjerën, Liridonën.
Gjykata thekson se për këto veprime i pandehuri Naim Murseli paraprakisht e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të grabitjes.
Ai i kishte premtuar të pandehurit Granit Plavës shumën e të hollave prej 30 mijë eurosh.
Autoritetet e drejtësisë ende nuk e kanë bërë të ditur motivin e kësaj vrasjeje.