Nazlie Bala nga Ministria e Drejtësisë (MD), në “Debat Plus” në RTV Dukagjini, lidhur me vrasjen e Liridona Ademajt, ka thënë se është momenti i fundit të bëhemi bashkë si shoqëri në veprime, sepse, sipas saj, nuk kemi jetë njerëzish për të humbur.
“Humbja e çdo e qytetari është dhimbja e madhe. Ne kemi qenë të shokuar ndaj kësaj vrasje makabre… Vrasja e Liridonës është shkak i femicidit, prandaj dhuna e gjinorizuar ndaj vajzave dhe grave dhe femicidi nuk janë incidente të izoluara apo simptoma të problemeve psikologjike”, ka thënë Balaj.
Balaj ka thënë se vrasja e Liridona Ademajt nuk duhet të trajtohet në pretekstin e problemeve psikologjike.
“Fenomeni i dhunës ndaj vajzave dhe grave duhet të trajtojmë nga simptomat e psikologjisë apo problemeve psikologjike, por duhet të trajtojmë nga shtypja, diskriminimi, pabarazia dhe mbi të gjitha ky armik i madh i vajzave dhe grave në Kosovë që shkakton ankth, pasiguri dhe frikë”, ka thënë Balaj.
Sot është rivarrosur trupi i Liridona Ademajt në fshatin e saj të lindjes në Rracaj të Gjakovës.
Trupi i së ndjerës me kërkesë të familjes është zhvarrosur nga varrezat e fshatit Cërmjan.
Lexo dhe këtë: Rivarroset trupi i Liridona Ademajt në fshatin e saj të lindjes
Qindra qytetarë tashmë kanë shkuar këtë të hënë që ta ngushëllojnë familjen Ademaj.
Në rivarrimin e së ndjerës kanë marrë pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ajo e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ajo e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe ajo e Industrisë, Rozeta Hajdari.
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor në Bërnicë të Prishtinës, në një rast të grabitjes që dyshohet të ketë qenë i orkestruar dhe organizuar nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli.
Të dyshuarit që janë arrestuar janë bashkëshorti Naim Murseli, Granit Plava dhe Kreshnik Kokalla.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masë paraburgimi prej një muaji ndaj tre të dyshuarve.
Në njoftimin e saj, gjykata ka dhënë detaje se si Naim Murseli e kishte planifikuar vrasjen e së ndjerës.
Gjyqtarja e Procedurës Paraprake ka vlerësuar se ekzistojnë bazat dhe arsyet për caktimin e masës së paraburgimit, ngase ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale.
Lexo dhe këtë: “E pajisi me armë”, detaje rreth planifikimit të Naim Murselit për vrasjen e Liridonës
Sipas gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Naim Murseli me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin Granit Plava për ta vrarë tani të ndjerën, Liridonën.
Gjykata thekson se për këto veprime i pandehuri Naim Murseli paraprakisht e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të grabitjes.
Ai i kishte premtuar të pandehurit Granit Plavës shumën e të hollave prej 30 mijë eurosh.
Autoritetet e drejtësisë ende nuk e kanë bërë të ditur motivin e kësaj vrasjeje.