Avokatin, Arbër Jashari, nuk e ka bindur fare rrëfimi i Naim Murselit, i cili dyshohet se e ka organizuar dhe porositur vrasjen e gruas së tij, Liridona Ademajt.
Në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ku po diskutohet për vrasjen që tronditi vendin, Jashari ka thënë se mënyra sesi Murseli e ka përshkruar ndodhinë, sipas tij, nuk kishte logjikë.
Ai thekson se përshkrimi i Murselit më shumë ngjante në një ikje prej ndonjë lufte sesa me një vepër siç është grabitja.
“Mënyra se si ai e përshkruante ikjen më shumë ngjante në luftë sesa me një vepër reale të grabitjes. Kam qenë i bindur se kjo nuk është grabitje, sepse grabitësi e ka për qëllim marrjen e sendeve me dhunë ose kanosje serioze, ai është hajn që del për me të frikësu me armë për me realizu qëllimin e vet. Mënyra qysh ai e përshkruante nuk kishte logjikë. Grabitësi nuk besoj se do të kishte ardhur deri të ekzekutimi i gruas, sepse nuk besoj që gruaja ka shfaqur ndonjë rezistencë. Nuk më ka bindur rrëfimi i tij se është një grabitje. Nuk më vjen mirë që ka dalë ai versioni që kam thënë unë. Familja do ta kishte pranuar më lehtë po të ishte grabitje”, tha Jashari.