“PISA 2022”, “Kosova duhet të bëjë ndryshim te metodologjia e mësimdhënies për ndryshim rezultatesh” thonë njohësit e arsimit

Në testin "PISA 2022" Kosova ka performuar me rezultate shumë të dobëta krahasuar edhe me testimin paraprak, ndërkaq ekspertë dhe zyrtarë arsimorë shprehin shqetësim për qasjen mekanike në mësimnxënie. Njohësit e arsimit, kanë bërë thirrje për ndryshim në metodologjinë e mësimdhënies dhe integrimin e programeve të veçanta për zhvillimin e aftësive

Të martën e pesë dhjetorit janë publikuar rezultatet e testit të “PISA 2022”, ku Kosova është renditur në pozitën e 76-të për lexim me 342 pikë në total, 77-të për shkencë me 357 pikë dhe vendin e 74-të me 355 pikë për matematikë nga 80 vende të botës si pjesëmarrëse.

Drejtori i organizatës ETEA, Agon Ahmeti, lidhur me publikimet e rezultateve të “PISA 2022”, ka thënë se dështimi i Kosovës në këto rezultate lidhet me qasjen mekanike të të mësuarit, dhe një arsyeje tjetër për rezultate të treguara më dobët se vitit 2018 është edhe ndikimi i pandemisë pasi Kosova u zë krejtësisht e papërgatitur për mësimin në distancë dhe online.

“Problemi kryesor për këto rezultate, përfshirë ato të vitit 2015 dhe 2018, ndërlidhet me qasjen mekanike të të mësuarit. Procesi i mësimnxënies vijon të jetë i orientuar drejt memorizimit. Nxënësit/et kosovarë/e inkurajohen të mësojnë përmendësh, pasi kjo është mënyra e vetme për të siguruar nota të mira nga mësimdhënësit/et dhe si rrjedhojë t’i kënaqin prindërit dhe të afërmit e tyre. Në hulumtimet e ETEA-s del se mësimdhënësit/et hartojnë testet kryesisht me pyetje alternative, bazuar krejtësisht nga tekstet shkollore pasi e kanë më të lehtë ta bëjnë vlerësimin e tyre. Si rrjedhojë, gradualisht shuhet mendimi kritik dhe kreativ i fëmijëve pasi nuk kanë rastin ta shprehin dhe kultivojnë atë. Pastaj, natyrshëm kemi rezultate të tilla në PISA, sepse PISA vlerëson pikërisht mendimin kritik, analitik dhe kreativ të fëmijëve”, ka thënë Ahmeti.

Sipas Ahmetit, MAShTI dhe institucionet e tjera të arsimit në vend duhet të integrojnë programe të veçanta që ndërlidhen në zhvillimin e aftësive si shkrim-lexim dhe lexim-kuptim.

Agon Ahmeti, Drejtori i organizatës ETEA

“Shkumësi dhe lapsi nuk përbëjnë probleme në vete. Kuptohet që avancimi infrastrukturor dhe teknologjik ka ndikim pozitiv, por përderisa metodologjia e mësimdhënies ka karakter memorizues, nuk mund të ketë progres në arsim dhe/apo të pritet ndonjë rezultat më i mirë se ky i tanishmi”, ka thënë ndër të tjera Ahmeti.

Drejtor Ekzekutiv i Instituti për Zhvillimin Edukativ dhe Social, Armend Ahmeti, për Portalin Dukagjini është shprehur se rezultati i dobët i Kosovës në testin e “PISA 2022”, ka ardhur si pasojë e udhëheqjes së Ministrisë së Arsimit nga personat që nuk i përkasin këtij institucioni. Dhe, sipas Ahmetit, për të treguar vendi ynë rezultat duhet të krijohet një plan dinamik i punës nga vlerësimi i testit PISA nga një grup punues.

Armend Ahmeti, Drejtor Ekzekutiv i Instituti për Zhvillimin Edukativ dhe Social

“Në sistemin e arsimit në Kosovë ka shumë probleme të cilat e kanë një ndërlidhshmëri me menaxhimin si tërësi të arsimit në Kosovë. Fatkeqësisht ka shumë vite qe Ministria e
Arsimit udhëhiqet nga ministra të cilët nuk i përkasin këtij institucioni dhe rezultatet tanimë janë të dukshme në rezultatin Pisa. Qeveria e Kosovës duhet urgjentisht ta formojë një grup punues për ta vlerësuar raportin e testit PISA, dhe pas vlerësimit të këtij raporti, duhet krijuar një plan dinamik të punës në këtë fushë, duke u bazuar mbi të gjeturat të cilat i ka sjellë ky raport”, ka theksuar Ahmeti.

Lidhur me këtë rezultat të “PISA 2022”, edhe kryetari i Sindikates së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka thënë për Portalin Dukagjini se kjo është shqetësuese, por se gishti nuk duhet të drejtohet vetëm te njëra palë, pra te mësimdhënësit.

“Rezultatet që u publikuan në media sot janë shqetësuese dhe askush nuk mund të ndihet mirë, veçmas ne që jemi të ndërlidhur drejtpërdrejt me sistemin arsimor, por uroj që të mos ndodhë si herëve të kaluara që një javë rresht të drejtohet gishti vetëm në një anë, uroj të mos ketë deklaratë të ashpra ndaj njërës palë, në këtë rast vetëm ndaj mësimdhënësve”, ka thënë Jasharaj.

Rrahman Jasharaj, Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK)

Jasharaj ka kërkuar që të gjitha palët që janë të përfshira në arsim duhet të ulen të diskutojnë dhe të gjejnë problemin se çfarë po ndodh, e jo për një javë rresht të fyhen, të shahen e të drejtohet gishti vetëm nga mësimdhënësit.

“Uroj që MAShT-i të organizojë konferenca me të gjitha palët, me Akademinë e Shkencave, me ekspertët e arsimit, me SBASHK-un, me prindërit, pra me të gjithë që të ulemi dhe të shohim ku janë problemet në arsimin tonë që po dalim kaq keq ne testin PISA, i cili është vetëm njëri nga instrumentet matëse. Mbase nxënësit nuk po gjenden si duhet në këtë test, mbase kurrikula nuk korrespondon me kërkesat e testit PISA. Pra, duhet të ulemi e jo një javë të fyhemi e të shahemi e të bëjmë me gisht vetëm nga mësuesi e nga shkolla, por të ulemi bashkë dhe të shohim cilat janë defektet”, ka shtuar ndër të tjera i pari i SBAShK-ut.

Sipas tij, nëse fyerjet dhe sharjet vazhdojnë sikurse herën e kaluar, atëherë rezultatet do të jenë përsëri të njëjta.

Jasharaj e ripërsërit edhe njëherë se me shkumës e shpuza, pa llaptopë e projektorë në shkolla, vështirë se mund të ketë rezultate.

“Me shkumës dhe shpuza dhe me rastin siç ndodhi sivjet me shpërndarjen e librave, pa llaptopë e projektorë, vështirë se mund të arrijmë rezultate që do të dëshironim t’i kemi, ngase nxënësit e Kosovës jashtë po dëshmohen tepër inteligjentë, por këtu mund të jetë fajtor kurrikula, tekstet shkollore, mund të jenë kushtet që i kanë. Nuk po dua t’i mbroj mësimdhënësit, pra duke u ulur bashkë me ta, duke u ulur me të gjitha palët, besoj se mund të arrijmë një gjendje krejt tjetër edhe në testin Pisa, por edhe në përpjekje tjera të vazhdueshme për rritje të cilësisë”, ka thënë ai.

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), ka reaguar pas publikimit të rezultateve të testit PISA, ku Kosova u rendit pothuajse në vendet e fundit.

ORCA ka thënë se me shqetësim, por të pabefasuar kanë marrë rezultatet e këtij testi, të cilin Kosova ka shënuar rënie si në rangim, ashtu edhe në performancë.

“Në vitin 2018 morën pjesë 74 vende dhe Kosova renditej e 72-ta, ku 66% e nxënësve shënonin performancë të dobët, ndërkaq në vitin 2022 morën pjesë 80 vende dhe Kosova renditet e 79-ta, pra e parafundit, ku 72.9% e nxënësve shënuan performancë të dobët”, thuhet në komunikatën për media.

ORCA Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim

Nga kjo organizatë më tej kanë thënë se analfabetizmi funksional është rritur fatkeqësisht, pra numri i nxënësve që nuk kuptojnë të lexuarit, nga 78% sa ka qenë në vitin 2018, është rritur në 83% në vitin 2022.

Ky rezultat solli reagime të shumta, duke filluar nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila ka thënë se ishin të pritshme sipas saj, duke i marrë parasysh sfidat e mësimdhënies gjatë periudhës së pandemisë.

Ministrja Nagavci ka thënë se situata pas pandemisë ishte e vështirë për nxënësit, duke përcaktuar rënien e pikëve nga 12 deri në 6 në krahasim me vitin 2018, kur është mbajtur për herë të fundit.

Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI)

Ajo gjithashtu ka bërë të ditur se disa komuna ende nuk kishin arritur të plotësonin detyrimet e tyre dhe se për t’iu kundërvënë kësaj sfide, janë ndërmarrë masa shtesë mësimore për fëmijët.

Kosova përballë shteteve fqinje

Kosova çalon në cilësinë e arsimit edhe në krahasim me fqinjët. Nga rezultatet e testit PISA të vitit 2022, vendet fqinje duket se kanë performuar më mirë.

Vendet e Ballkanit tek rezultatet e Pisa 2022 janë renditur kështu: Kosova 76-të, Shqipëria 72-të, Maqedonia e Veriut 71-të, Mali i Zi 48-të dhe Serbia e 32-të.

PISA 2022

Në matematikë, sipas rezultateve të “PISA 2022”, Kosova është renditur në vendin e 74-të, ndërsa vendet e rajonit si Shqipëria e 67-të, Serbia e 42-të, Mali i zi 55-të, Maqedonia e Veriut 61-të.

PISA 2022

Në shkencë, Kosova është renditur e 77-të, si e fundit nga shtetet e rajonit, Shqipëria e 68-të, Maqedonia e Veriut e 67-të, Mali i Zi i 49-të, ndërsa Serbia e 29-të.

Rezultatet e PISA 2022

E para nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, pjesëmarrëse në këtë test, është radhitur Serbia, e pasuar nga Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Renditja e shteteve fqinje te Kosoves

Edhe në vitin 2015, Kosova është renditur më poshtë se Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa Serbia nuk ka marrë pjesë.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika