Detyrimet e Kosovës nga marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve si dhe aneksi i zbatimit, do përfshihen në rrugëtimin evropian edhe të Kosovës.
Këshilli i ministrave të Bashkimit Evropian, në takimin e 12 dhjetorit, do kërkoj nga përfaqësuesi i veçantë për dialog, Miroslav Lajçak që të përditësojë agjendën e Grupit të ardhshëm Special të Kosovës për Normalizimin, për të pasqyruar detyrimet e Kosovës që rrjedhin nga këto marrëveshje.
Kjo qëndron në draftin e konluzave nga takimi ministror. Të njëjtat konkluza në fund të javës tjetër do i konfirmojnë edhe liderët e shteteve anëtare të BE-së.
Në draftin e këtyre konkluzave nënvizohet se pritet që Kosova të angazhohet në Dialog në mirëbesim dhe në frymën e kompromisit për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme me Serbinë.
Shprehet keqardhje për mungesën e zbatimit nga të dyja pale dhe ftohen si Prishtina ashtu edhe Beogradi që t’i respektojnë dhe zbatojnë të gjitha detyrimet.
“Kjo përfshin themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serben ë Kosovë. Këshilli mirëpret gatishmërinë e Kosovës dhe Serbisë për të pranuar draft-statutin e paraqitur palëve, duke kuptuar se duhet të punohet më tej mbi këtë bazë”, thuhet në dokumentin i cili do miratohet javën e ardhshme.
Hapësirë e veçantë në konkluza i kushtohet situatës së sigurisë në veri. Në këtë rrafsh, Këshilli rithekson se nuk ka arsyetim për dhunën dhe dënon fuqishëm sulmin e dhunshëm kundër Policisë së Kosovës më 24 shtator 2023.
Nga Kosova dhe Serbia kërkohet që të bëjnë përpjekje të qëndrueshme për de-përshkallëzimin, të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe provokuese që mund të çojnë në tensione dhe dhunë dhe të ndalojnë retorikën përçarëse. Këshilli do rikujtoj sërish se dështimi në de-përshkallëzim do të ketë pasoja.
Gjithashtu do porositet se BE-ja është e gatshëm të të vlerësojë masat e mëtejshme ndaj Serbisë dhe Kosovës, nëse kjo është e nevojshme, shkruan RTK.
Duke iu referuar masave ndaj Kosovës që datojnë nga qershori, do mirëpritet fakti që Kosova ka ndërmarrë hapa drejt përmbushjes së disa prej kërkesave por rikujton se BE-ja është e gatshme të heqë masat në rast të përparimit të mëtejshëm në përmbushjen e kërkesave ekzistuese.