Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka propozuar që çdo ndryshim i vlerës së tatimit në pronë nga viti 2022 në vitin 2023, prej 0 deri në 100 euro, të falet.
Ai u ka bërë thirrje asamblistëve që në seancën e radhës të votojnë pro këtij propozimi.
Me anë të një postimi në Facebook, Rama ka thënë se ky propozim do t’u ndihmojë të gjithë qytetarëve të Prishtinës, dhe nuk do të dëmtojë qëndrueshmërinë buxhetore të kryeqytetit.
“Propozoj që çdo ndryshim i vlerës së tatimit në pronë nga viti 2022 në vitin 2023, prej 0 deri në 100 euro të falet. Pra, nëse një pronë ka pasur tatimin 50 euro në vitin 2022 dhe në vitin 2023 është kalkuluar ta ketë 70 euro, atëherë falja do të jetë 20 euro. Nëse një pronë ka pasur tatimin 120 euro në vitin 2022 dhe në vitin 2023 është kalkuluar ta ketë 300 euro, atëherë falja do të jetë 100 euro”, shkroi ai.
“Njëherësh, sipas tij, nuk do të cenojë mundësinë e zhvillimit dhe transformimit të mirëfilltë të Kryeqytetit për të mirën e të gjithëve, prandaj lus secilin asambleist, pa dallim, që në seancën e radhës të votojë PËR”, shtoi ai.