Kryetari i Luginës së Preshevës, Shqiprim Arifi, pas publikimit të rezultateve të testit të “PISA 2022”, ka thënë se dorëheqja e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, është më e pakta që mund të veprohet.
“Dorëheqja e Ministres Nagavci është më e pakta që mund të veprohet!”, ka shkruar Arifi.
Sipas tij, renditja e Kosovës në testin PISA është shqetësuese për shoqërinë kosovare.
Kosova është renditur pothuajse në vendet e fundit në rezultatet e testit të PISA-s për vitin 2022.
Lexo dhe: “PISA 2022”: Kosova, pothuajse në fund për lexim e shkencë
Kosova ka zënë vendin e 76 nga 80 shtete pjesëmarrëse për lexim, ndërsa është në vendin e 77-të nga 80 për shkencë.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se këto rezultate ishin të pritshme, sipas saj, duke marrë parasysh sfidat e mësimdhënies gjatë periudhës së pandemisë.
Ministrja Nagavci ka thënë se situata pas pandemisë ishte e vështirë për nxënësit, duke përcaktuar rënien e pikëve nga 12 deri në 6 në krahasim me vitin 2018, kur është mbajtur për herë të fundit.
Ajo, gjithashtu, ka bërë të ditur se disa komuna ende nuk kishin arritur të plotësonin detyrimet e tyre dhe se, për t’iu kundërvënë këtij sfide, janë ndërmarrë masa shtesë mësimore për fëmijët.
Lexo dhe: Rezultatet e dobëta të “PISA 2022”, Nagavci thotë se janë të pritshme pas pandemisë
“Në testin pista nga Kosova kanë marruar pjesë gjithsej 6 mijë 27 nxënëse nga 220 shkolla, rezultatet të cilat janë bërë publike sot kanë qenë të pritshme, duke pasur parasysh që u organizua në pranverë te vitit 2022 kemi pasur një situate menjëherë pas pandemisë kur mësimi u zhvilluar nga distanca dhe me ndërprerje ka qenë e pritshme edhe nga raportet vendore por edhe nga studimet e ndryshme ndërkombëtare për shkak të situatës së pandemisë nxënësit kanë pasur rënie dhe këto janë studiuar më testime të ndryshme, të vedijshëm për humbjet e shkaktuara nga pandemia më të marrë detyrën kemi bere edhe mësimin shtesë për fëmijët tonë, jo të gjitha komunat e kanë plotësuar”, ka deklaruar ajo në konferencë për media.
Lidhur me këtë ka reaguar kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, duke i cilësuar si “të dhembshme” e të “tmerrshme” rezultatet e Kosovës në testin PISA.
Lexo dhe: Krasniqi: Analfabetizimi qeveritar tashmë po i shkatërron edhe shkollat tona
“Analfabetizmi qeveritar po prek shkollat tona – në testin PISA, Kosova më keq se më 2014 e 2018. Sot u konfirmua rënia e thellë e rezultateve të nxënësve të Kosovës në testin e PISA-s në lexim, matematikë dhe shkencë. Kosova renditet, praktikisht, në fund të tabelës së 80 shteteve pjesëmarrëse. E dhembshme! E tmerrshme”, ka shkruar Krasniqi.
Ndërsa, Jehona Lushaku – Sadriu nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kritikuar Qeverinë duke thënë se arsimin e sheh si sistem të dobësimit të shoqërisë, të luftës politike dhe të kontrollit të masës.
Lexo dhe: Lushaku-Sadriu për testin “PISA 2022”: Kjo Qeveri, arsimin e ka karrem kontrolli
“Të dhënat e Testit PISA po rangojnë Kosovën në vitin 2023 më poshtë se kurdoherë. Ka përkeqësim në të kuptuar, në lexim e ka përkeqësim në matematikë dhe shkencë. Vendi i 76 nga 80 sa janë. Ky është rezultati i saktë i një Qeverie që arsimin e sheh si sistem të dobësimit të shoqërisë, luftës politike dhe kontrollit të masës”, ka shkruar Lushaku-Sadriu.