Zëdhënësi kryesor i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, ka thënë se Izraeli është “i vendosur të eliminojë terroristët e Hamasit dhe të dëmtojë infrastrukturën, siç bëmë në veri të Rripit të Gazës”.
Ky reagim i Hagar-it vjen disa orë pasi Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë se trupat e tyre ndodheshin në “zemrën e Khan Younis”, pasi bombarduan qytetin jugor gjatë natës, raporton BBC, përcjell Dukagjini.
Hagari ka përsëritur disa nga deklaratat e mëparshme, duke thënë se trupat e IDF-së po luftojnë “në zemër të Jabalia dhe në zonën e Shejaiya”.
“Në çdo bastion të tillë, kryhen sulme të kombinuara tokësore dhe ajrore, shkatërrohen infrastrukturat nëntokësore, eliminohen shumë terroristë në beteja ballë për ballë dhe vendosen armët”, ka shtuar zëdhënësi kryesor i ushtrisë izraelite.
Në fazat e hershme të luftës, civilëve palestinezë iu tha të iknin në jug për të shmangur luftimet. Por, Izraeli tani thotë se beson se pjesë të rajonit po përdoren nga Hamasi.