Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se po shqyrtohen e-mailat që kanë marrë nga disa qytetarë me kërkesë për largimin e katër kryetarëve të komunave veriore.
Një grup i serbëve të Kosovës kanë bërë kërkesë për peticion për shkarkimin e kryetarëve të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin-Potokut dhe Leposaviqit.
Elezi ka deklaruar para mediave se shumë shpejt do t’u kthehet një përgjigje qytetarëve.
“Ashtu siç iu kemi njoftuar gjatë ditës së djeshme, në disa adresa zyrtare, kemi pranuar katër e-maile, të cilat kanë pasur të bashkëngjitur, të plotësuar formularin për inicimin e kërkesës për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Mund t’iu konfirmoj se këto shkresa janë duke u shqyrtuar dhe duke u përgatitur përgjigjja për to. Në një kohë sa më të shpejtë do t’iu dërgohet atyre personave apo qytetarëve dhe sigurisht se për përgjigjen do të bëhet e ditur edhe publikisht”, ka thënë Elezi.
Serbët në katër komunat në veri të Kosovës kanë formuar grupet nismëtare, të cilat të martën kanë paraqitur kërkesa te kryesuesit e kuvendeve komunale në Mitrovicë të Veriut, Zubin-Potok, Zveçan dhe Leposaviq, për inicim të peticionit për shkarkim të kryetarëve.
Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanjin, për Portalin Dukagjini ka thënë se tre persona kanë shkuar para komunës dhe kanë lexuar diçka, por se nuk kanë pasur ndonjë kërkesë konkrete.
“Ka një iniciativë prej komunitetit serb. Kanë ardhur kanë lexuar diçka para komunës, por nuk kanë bërë ndonjë kërkesë, diçka në lidhje me mospunën e kryetarëve, por nuk kemi mbajtur ndonjë takim. Unë jam në vendin e punës, por skam pranuar ndonjë kërkesë “, ka thënë Ugljanin.
Ai thotë se nga informatat që ka, kërkesa për shkarkim të kryetarit bazohet në pretendimet e tyre për “mospunën e kryetarëve dhe vendimeve të njëanshme të tyre”.