Deputetët e Partisë Demokratike (PD) në Shqipëri kanë mbërritur në ambientet e Kuvendit përpara nisjes së seancës plenare të enjten, ku pritet të miratohet nen për nen buxheti për vitin 2024.
Deputetët janë përplasur me oficerët e gardës, të cilët kanë tentuar ta ndalojnë bllokimin e foltores së Kuvendit me grumbuj karrigesh, raporton Euronews.
Pas shtyrjes fizike, deputetët kanë mundur të vendosin karriget e tyre rreth foltores.
Opozita në Shqipëri vazhdon me të njëjtin skenar për bllokimin e Kuvendit tash e disa javë me radhë.
“O qelbësirë na thyhet duar”, dëgjohet të thotë deputetit i PD-së, Bledjon Nabllati, i cili ishte ndër më aktivët në bllokimin e foltores së Kuvendit.
Në këtë seancë mungon ish-kryeministri Sali Berisha, i cili u përjashtua me 10 ditë nga punimet e Kuvendit për shkak të bllokimit që i bëri Kuvendit në seancën e së hënës.
Krahas Berishës janë përjashtuar me 10 ditë edhe deputetët, Flamur Noka, Eldo Hoti, Gazmend Bardhi, Albana Vokshi dhe Edi Paloka.
Ndaj tyre masa e vendosur është maksimale, pasi bllokimi i Kuvendit është kryer në mënyrë të përsëritur prej tyre.
Flamur Nokës iu pezullua për ndezjen e flakadanëve në sallë, si dhe tentativën për t’i vënë flakën grumbullit të karrigeve.
Deputetet Elda Hoti dhe Albana Vokshi u përjashtuan për shkak se mbajtën në çantë dhe i dhanë flakadanët kolegut Noka.
Sakaq përjashtimi i Bardhit, i Berishës dhe i Palokës u bë nën argumentet se penguan zhvillimin e rregullt të seancës plenare duke shkaktuar kaos dhe duke fyer kolegët.